Protesta e të rinjve të AAK-së - Foto: KALLXO.com

Të Rinjtë e AAK-së Kërkojnë Lirimin e Haradinajt

Të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë zhvilluar një aktivitet simbolik afër vendit ku po mbahet samiti i Komisioneve për Punë të Jashtme  të parlamenteve të shteteve të Evropës me qëllim të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar se, siç tha kryetarja e të rinjve të AAK-së, Diellza Hoti, Kosova nuk është në rrugën e duhur dhe se udhëhiqet nga njerëzit që e kanë prioritet vetëm interesin e tyre personal dhe nuk kanë aspak në fokus zhvillimin e vendit.

Po ashtu, në këtë aktivitet, të rinjtë e AAK-së kërkuan lirimin e liderit të partisë së tyre, Ramush Haradinaj, i cili është arrestuar më 4 janar në Francë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Ismajl Spahiu, kryetar i të rinjve të AAK në Fushë-Kosovë, i bëri thirrje Qeverisë që të ndalë marrëveshjet, sipas tij, të dëmshme për Kosovën.

Spahiu vlerësoi se kjo Qeveri i ka bërë dëme të mëdha vendit dhe pasojat e Marrëveshjes për Demarkacionin sipas tij do të jenë të përhershme.