Mbjellja e pemës nga çifti i porsamartuar në parkun e të porsamartuarve në Prishtinë - Foto: Facebook

Të Porsamartuarit Lënë Shenjë në Prishtinë

Në hyrje të kryeqytetit është inauguruar parku, ku çiftet e porsamartuara do të mbjellin nga një pemë.

Para se t’i kurorëzonte 2 çiftet e para që mbollën nga një pemë, kryetari Shpend Ahmeti falënderoi që të gjithë ata që kanë kontribuuar në ndërtimin e këtij eko-parku të parë në Prishtinë.

NDËRLIDHUR

“Ky projekt ka dy qëllime: shënjimi i martesës për çiftet, si dhe rritja e gjelbërimit në kryeqytet. Sapo të mbushet ky park, projekti do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera të kryeqytetit, ashtu që të ndikojmë sa më shumë në përmirësimin e ambientit”, tha ndër të tjera Ahmeti.

“Njerëzit kur të martohen kanë dëshirë që të lënë shenjë të martesës së tyre, qoftë me lokacionin ku martohen. E kësaj radhe ne ju ofrojmë një rast të ri që këtë shenjë ta lënë, natyrisht për të mirën e kryeqytetit, duke rritur gjelbërimin. Pra po shfrytëzojmë këtë rast të çifteve të porsamartuara, dëshirën e tyre për të lënë shenjë me e rritë gjelbërimin në komunën tonë, duke i ofruar mundësinë që ta kenë drurin e tyre të veçantë në komunën tonë”, tha kreu i kryeqytetit.

Shpend Ahmeti falënderoi kompaninë “Coca Cola”, e cila në bashkëpunim me Zyrën e Rigjenerimit Urban të Komunës së Prishtinës e mundësuan hapjen e këtij parku.

Ai tha se është ndërtuar hapësira e paraparë për kurorëzimin e çifteve dhe pjesa tjetër është hapësira ku do të mbillen 160 drunj nga çiftet dhe do të ketë ndriçim të veçantë.

“Në 3 vitet e fundit në Prishtinë i kemi mbjellë rreth 4.000 drunj. Besoj që në 3 vitet e ardhshme këtë numër do ta dyfishojmë me projekte të tilla, ku i motivojmë njerëzit që ta ruajnë gjelbërimin, që ta shtojnë gjelbërimin në kryeqytetin tonë sepse siç e thamë edhe me hapjen e parkut të fundit këto janë mushkëritë e kryeqytetit”, tha Ahmeti.

Ndërsa, ambasadori amerikan Greg Delawie tha se kompanitë duhet të marrin shembull nga “Coca Cola” dhe korporatat e tjera amerikane.

Pas fjalimeve u bë ceremonia e kurorëzimit të dy çifteve të reja.

Nga ana tjetër, rreth 20 metra më larg qëndronin një grup i të rinjve nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët po zhvillonin një aksion simbolik kundër qeverisjes së Shpend Ahmetit.

07 Gusht 2017 - 14:13

Ardit Kika 07/08/2017 - 14:13
NDËRVEPRIMI34

Të Porsamartuarit Lënë Shenjë në Prishtinë

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend