Të Përçarë Rreth Dialogut

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha sot se dialogu i Kosovës me Serbinë nuk ka alternativë, por kërkoi të ketë më shumë transparencë nga institucionet e Kosovës rreth këtij procesi.

Komentet e diplomatit evropian u bënë gjatë publikimit të raportit “Të Përçarë” të organizatave BIRN, Internews Kosova dhe ACDC që ka të bëjë me dialogun procesin e dialogut.

“Ne e kemi humbur edhe opozitën dhe situata është e këtillë. Edhe mungesa e transparencës i ka kontribuar kësaj situate ku gjendemi”, tha Zhbogar në konferencë.

Ai u shpreh se e ka parë që kryeministri Isa Mustafa është i interesuar ta përfshijë Kuvendin në diskutimet për dialogun.

Sipas tij, dialogu Kosovë- Serbi “nuk po bëhet për ta kënaqur BE-në”, si ndërmjetësuese në proces. Ai tha se ky dialog synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

“Normalizimi duhet të trajtohet tash, e jo t’u lihet brezave te ardhshëm”, tha Zhbogar.

Zhbogar tha se rekomandimet e raportit të publikuar “do të jenë shumë të dobishme sa i përket reflektimit për të ardhmen e dialogut”.

Ministrja për dialog Edita Tahiri pati kritika për implementimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Në të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me tërheqjen e Serbisë nga pjesa veriore e Kosovës Serbia ka dështuar, ndërsa mirë e ka zbatuar marrëveshjen e lëvizjes së lirë pavarësisht që kemi disa frustrime, tregtia e lirë IBM funksionon në mënyrë të shkëlqyeshme”, tha Tahiri.

Nga ana tjetër, Dejan Paviqeviq, zyrtar ndërlidhës i Beogradit në Prishtinë ishte më optimist në këtë drejtim.

“Nëse shikojmë mbrapa se si ka qenë situata dhe e shohim tash me atë që dialogu ka sjellë dhe me çfarë është implementuar, nëse e krahasojmë këtë me periudhën e vitit 2011 nëse dikush do të thoshte atëherë që ne sot do të jemi këtu në këtë situatë do të thonim se ai njeri është çmendur”, tha Paviqeviq.

Valerie Hopkins autorja e raportit tha se në raportin e fundit është vërejtur një humbje në stagnim, ndërsa në këtë raport vërehet një përçarje.

“Fatkeqësisht përkundër faktit që këto marrëveshje janë arsye për protestat e përditshme ka vërtetë pak debat për to brenda Kuvendit apo jashtë tij”, tha Hopkins

Jeta Xharra, Drejtore Ekzekutive e BIRN Kosova, tha se para një viti ka qenë një disponim më i mirë në paraqitjen e raportit ndërsa sot shihet ajo që edhe raporti e quan si përçarje.

“Jam e dëshpëruar që nuk kemi mund ta arrijmë efektin që këto marrëveshje të bëhen më të afërta për qytetarë, të kuptohen më shumë”, tha Xharra.