Pasojat e përleshjes së armatosur në Kumanovë në vitin 2015. Foto: AP/Visar Kryeziu

Të Pandehurit e Rastit të Kumanovës do të Dëshmojnë në Gjykatë

Avokatët e 37 të pandehurve shqiptarë të akuzuar për pjesëmarrje në përleshjen e armatosur me policinë, ku mbetën 18 të vrarë, në qytetin verior të Kumanovës në maj të vitit 2015, thanë se dëshmitë e tyre, të planifikuara për të premten, mund të çojnë në kërkesa që politikanë maqedonas të dalin të dëshmojnë.

Naser Raufi, njëri nga avokatët mbrojtës për personat e akuzuar për terrorizëm, tha se “kush do të thirret saktësisht do të varet nga dëshmitë e të pandehurve”.

Kjo nuk është hera e parë që mbrojtja ka sugjeruar thirrjen e politikanëve si dëshmitarë me shpresë të hedhin dritë mbi çështjen.

Në tetor të vitit të kaluar mbrojtja tha se donte që një gjeneral policie në pension, i cili tani është lider i partisë së vogël opozitare Dinjiteti, Stojance Angelov, dhe kreu i partisë së vogël në koalicionin qeverisës të vendit, Bashkimi Demokratik për Integrimin, Ali Ahmeti, të paraqiteshin si dëshmitarë.

Por ligji ndalon thirrjen e dëshmitarëve shtesë në mes të gjyqit, vetëm në rast se ata janë përmendur në dëshmitë e njerëzve të tjerë se mund të kenë lidhje me çështjen, që pritet të jetë edhe rasti kur të pandehurit të dalin të dëshmojnë të premten.

Ish-gjenerali i policisë Angelov tha për BIRN në tetor se ai ndoshta po thirret të dëshmojë për shkak të një deklarate që ka bërë vetëm dy javë para shkëmbimit të zjarrit në të cilën ai praktikisht e parashikoi incidentin.

Ai kishte thënë se qeveria mund të organizonte një incident për të provokuar një konflikt ndëretnik dhe kështu të shmangte vëmendjen nga protestat kundër qeverisë që po ndodhnin vazhdimisht në atë kohë.

“Kam informacione se dy milionë euro u janë dhënë shqiptarëve, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me UÇK-në (forcë guerile shqiptare tashmë e shpërbërë, që luftoi në konfliktin e armatosur të vitit 2001 në Maqedoni) dhe që janë kriminelë nga rajoni i Likovës (në afërsi të Kumanovës)”, tha Angelov për BIRN.

“Detyra e tyre ishte të vrisnin disa oficerë policie ose staf të ushtrisë dhe të shkaktonin një konflikt ndëretnik, duke pretenduar se ishin anëtarë të UÇK-së”, tha ai.

Kjo përputhet me disa pretendime të bëra nga mbrojtja, që kanë sugjeruar se i gjithë incidenti u organizua nga zyrtarë policie të rangut të lartë, edhe pse ata nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për komplotin e dyshuar.

Mediat ndërkohë kanë spekuluar se Ahmeti nga ana tjetër mund të thirret sepse pranoi hapur se ishte kontaktuar nga disa persona që ishin pjesë e përleshjes së armatosur për të kërkuar ndihmë në zgjidhjen e çështjes, pretendoi ai.

Gjyqi i kësaj çështje të profilit të lartë filloi në shkurt 2016.

Por në fillim të qershorit të vitit të kaluar, gjyqi u desh të niste nga e para pasi prokuroria vendosi ta shkrinte çështjen bashkë me një tjetër çështje të lidhur me këtë, në të cilën tetë persona dyshohen se kanë ndihmuar grupin e armatosur.

Avokatët mbrojtës janë ankuar se ata dhe klientët e tyre nuk kanë pasur qasje të mjaftueshme në provat e prokurorisë, në këtë mënyrë ata nuk kanë mundur të përgatiteshin për një mbrojtje të përshtatshme.

Prokuroria dyshon se burrat vodhën armë nga një rajon policie, të cilat ata i përdorën për të sulmuar forcat e sigurisë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015.

Të pandehurit i mohojnë akuzat dhe këmbëngulin se shkëmbimi i zjarrit, që zgjati dy ditë, ishte rezultat i tyre që mbronin veten nga policia.

Kumanova ishte një nga qytetet në qendër të konfliktit të armatosur të vitit 2001 midis kryengritësve të armatosur shqiptarë dhe forcave të sigurisë maqedonase.

Dy ditë pas përleshjes së armatosur në Kumanovë, u zhvillua debat në emisionin “Jeta në Kosovë“ se çfarë ngjau në Lagjen e Trimave dhe u shfaqën pamje nga zona e shkatërruar nga konflikti.