Të Pafajshëm Milaim Zeka e Rrustem Rukolli

“Çdoherë i kam besuar një pjese të drejtësisë evropiane. Kjo e përforcon edhe bindjen time se sikur të mos të ishte EULEX-i unë as me avion nuk do të kaloja mbi Kosovë,” tha Zeka.

Ai u lirua sot nga akuzat për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe tentativë e pengimit të të provuarit, apo procedurës zyrtare që lidheshin me përpjekjet për t’ia mbushur mendjen një dëshmitari të mbrojtur që t’i shfajësojë të akuzuarit e “Grupit Drenica”.

Kryetarja e trupit gjykues Françeska Fisher në fund të seancës nuk e la pa e dhënë një mesazh për gazetarët dhe gazetarinë.

“Gazetarët luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëritë e hapura, shoqëritë demokratike, mirëpo kjo nuk do të thotë se ata duhet t’i kalojnë të drejtat e tyre në etikën e gazetarisë,” tha Fisher.

Ajo bëri të ditur se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj vendimit të sotëm të gjykatës në afatin prej 15 ditësh.

10:22

Prokuroria gjatë javës pushoi ndjekjen penale ndaj Rrustem Rukollit, ndërsa kjo heqje dorë e prokurorisë nga ndjekje Rrukollit sot iu kthye në lirim nga akuza me të cilën ngarkohej.

Edhe Milaim Zeka u shpall i pafajshëm.

Zeka në këtë proces gjyqësor akuzohej për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe tentativë e pengimit të të provuarit, apo procedurës zyrtare, ndërsa Rrustem Rukolli vetëm për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjyqtarja e EULEX-it Françeska Fisher deklaroi se gjykata nuk ka mundur të vërtetojë se zeka e Rukolli janë fajtorë, prandaj i ka shpallur të pafajshëm.

Ajo aktualisht është duke e lexuar arsyetimin e vendimit të gjykuatës.

Prokuroria akuzonte Rrustem Rukollin se duke e shfrytëzuar mundësinë e tij si njëri nga përfaqësuesit në ekipin mbrojtës të Sami Lushtakut dhe duke i pasur të gjitha shkresat e prokurorisë në lëndën PP 27/12, këto informata ia ka përcjellë Milaim Zekës.

Milaim Zeka pastaj, sipas aktakuzës, e ka takuar dëshmitarin e koduar si “Dëshmitari I” në atë rast dhe në restorantin “Dibra” në Skenderaj në prezencën e një numri të madh të njerëzve ka tentuar që ta bindë atë që të shfajësojë të akuzuarit e lëndës PP 27/12.

Sipas aktakuzës taakimet e Zekës me “Dëshmitarin I” kishin ndodhur nga 28 tetori deri më 5 nëntor 2013.

Lënda PP 27/12 kishte të bënte me aktakuzën ndaj “Grupit Drenica”.

KALLXO.com e ndoqi vazhdimisht gjykimin e Zekës dhe Rukollit

http://kallxo.com/zeka-e-rukolli-deklarohen-te-pafajshem/ [interaction id=”56bdabf8e55f8d3b22bf6b3a”]