Të Larguarit nga KEDS-i Përsëri Protestojnë

 

Në protestë, Fehmi Pajaziti, nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” u ankua për mungesë të reagimit të institucioneve ndaj largimit të punëtorëve nga KEDS-i.

“Për ne është i papranueshëm dhe i patolerueshëm mosreagimi i qeverisë për largimin e kaq shumë punëtorëve dhe asnjë reagim të vetëm të mos e ketë qeveria është e papranueshme dhe e pajustifikueshme,” tha Pajaziti.

Punëtorët e larguar nga puna në KEDS në shkurt e kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të kësaj kompanie George Karagutoff.

Avokati i këtyre punëtorëve Nasuf Hasani tha në protestë se së shpejti pret që drejtori të ftohet në intervistë nga prokuroria.

“Shumë shpejt presim që prokuroria ta ftojë në cilësi të të dyshuarit personin në fjalë. Duke pasur parasysh këtë, shpresojmë se edhe do të ngrihet aktakuzë ndaj të njëjtit nga prokuroria,”tha avokati Hasani.

Gjatë protestës, para hyrjes së ndërtesës së KEDS-it ishte vendosur një kordon policor.

Punëtorët e Departamentit të Projekteve në Operim, i cili sipas tyre u mbyll, protestuan edhe dje, ndërsa gjatë protestës sulmuan veturën e drejtorit të Burimeve Njerëzore të KEDS-it, Zafer Yilmaz duke tentuar të mos e lejojnë të futet në objekt.

Dy nga protestuesit dje largimin e tyre nga puna e konsideruan të padrejtë duke pretenduar se kishin kontratë të përhershme.

http://kallxo.com/te-larguarit-nga-keds-kerkojne-llogari-nga-qeveritaret/

KEDS-i, që përfshin rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike, ishte privatizuar në tetor të vitit 2012 për 26.3 milionë euro.

Kur e kishte marrë përsipër këtë ndërmarrje, KEDS kishte marrë obligim që t’i mbajë në punë të gjithë punëtorët për tri vjet.

Largimi i tyre nga puna ka nisur menjëherë pas kalimit të këtij afati.

Protesta të punëtorëve të larguar nga KEDS-i u zhvilluan edhe më parë.

http://kallxo.com/kallxo-360-protestojne-perseri-punetoret-e-keds/