Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com
Të Kërkuarit nga Turqia i Caktohet Paraburgimi
Një shtetasi turk të arrestuar në Prizren që po kërkohet nga Ministria e Drejtësisë së Turqisë i është caktuar sot paraburgimi prej 40 ditësh.
Lajmi për caktimin e praburgimit që fillon ditën e sotme dhe do të përfundojë më 6 dhjetor, u bë i ditur nga një komunikatë e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“I akuzuari U.T, kërkohet për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par.2 të KPK”, thuhet në kominikatën e gjykatës.
Paraburgimin e kishte kërkuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Shtetsi turk me inicialet U. T. po kërkohet nga Ministriae Drejtësisë së Turqisë dhe nga Gjykata Penale e shkallës së parë nr.2 Hatay.
Ndaj U. T. në Turqi janë duke u zhvilluar hetimet “në drejtim të veprës penale organizata e armatosur nga nei 314 të Kodit Penal të Republikës së Turqisë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë e arsyetoi në komunikatë caktimin e paraburgimit të shtetasit turk.
“Po të gjendej i kërkuari në liri, i njëjti mund të ikë, të largohet apo të fshihet dhe do të jetë i pakapshëm nga organet e ndjekjes”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Shtetasi turk, sipas policisë, u arrestua mbrëmë pasdite në Prizren.