Të Hënën Ora e Parë e Mësimit i Kushtohet Epopesë së UÇK-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim që të hënën më 5 mars 2018, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet historikut të Epopesë së UÇK-së.

Këtë vendim, ministri e ka marrë në nderim të 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,   më 5, 6 dhe 7 mars, Qeveria zakonisht organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./rtv21