Albin Kurti gjatë një proteste| Foto: KALLXO.com (Arkiv)

Të Gjitha Betejat e Albin Kurtit me Burgun

Katër nga 20 vitet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka kaluar prapa grilave ose në arrest shtëpiak.

Që nga viti 2005, kur e themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, Kurti u arrestua shpeshherë për shkak të aktiviteteve të tij politike të cilat në shumicën e rasteve ishin sfidë për t’u menaxhuar nga organet e rendit.

Deputeti i Vetëvendosjes deri më tani është arrestuar rreth 20 herë ndërsa ka qëndruar në burgje të ndryshme.

Burgimi i tij i parë afatgjatë ishte mbajtur gjatë dhe pas luftës. Në vitin 1999 Kurti ishte arrestuar nga policia serbe për t’u mbajtur 2 vite e shtatë muaj e dhjetë ditë në burg në Serbi.

Para kësaj, ai ishte arrestuar edhe më 1 tetor 1997, në protestën e studentëve shqiptarë për lirimin e objekteve universitare nga regjimi i Milosheviqit.

Ai ishte liruar në vitin 2001 ndërsa arrestimi i tij i parë nga institucionet e Kosovës ndodh pesë vite më pas.

Në një protestë të mbajtur në qershor 2006, Kurti qe arrestuar dhe ishte mbajtur 10 ditë në qeli.

Një vit më vonë pas protestës së 10 shkurtit 2007, Albin Kurti ishte arrestuar dhe mbajtur për pesë muaj në burg dhe pesë muaj arrest shtëpiak.

Nën një fletarrest të gjykatës, Albin Kurti u arrestua sërish ditën kur mbajti konferencë ku ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje, si iniciativë qytetare, do merrte pjesë në zgjedhje.

http://kallxo.com/video-protesta-per-lirimin-e-albin-kurtit/

Më 15 qershor 2010, Kurti u dënua me 9 muaj burg nga gjykata si i akuzuar për ngjarjet e 10 shkurtit 2007 kur dy protestues u vranë nga njësitet speciale të UNMIK-ut në sheshin kryesor të Prishtinës.

Në kohën nga viti 2010 deri në nëntor 2015, Kurti qe shoqëruar edhe disa herë në polici nën akuzat për pjesëmarrje në protesta dhe hedhje të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës si masë kundërshtuese ndaj marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi.

Arrestimi i tij i ardhshëm ndodhi në një datë historike. Në manifestimin e opozitës për 28 nëntor të vitit 2015, Albin Kurti që ndodhej në arrati, u paraqit në foltore dhe mbajti fjalim në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në një aksion në të cilin Policia përdori forcën ndërsa protestuesit gurët, pak minuta pas kësaj ngjarje, Policia e Kosovës e arrestoi Albin Kurtin në selinë e Vetëvendosjes. Ai nga aty ishte dërguar në burgun e Dyzit ku qëndroi për 3 javë e gjysmë.

http://kallxo.com/arrestohet-albin-kurti/

Dy vite më vonë, më 23 nëntor 2017, Kurti është arrestuar sërish para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, pasi disa ditë më parë nuk ishte paraqitur në gjykatë për t’u përgjigjur në akuzat për hedhje të gazit lotsjellës. Ai u la i lirë, por në arrest shtëpiak, me 25 nëntor.

http://kallxo.com/arrestohet-albin-kurti-2/