Të Dyshuarit për Terrorizëm Mbeten në Paraburgim

Të dyshuarit se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë dhe rajon në bazë të instruksioneve nga Lavdrim Muhaxheri do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Gjykata e Apelit  njofton se  ka lënë fuqi masën e paraburgimit ndaj 17 personave të dyshuar për përgatitje të veprave penale terroriste ose  veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë mënyrë Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesat e avokatëve mbrojtës të të pandehurve B.B., V.I., L.M., L.M., K.P., L.V., L.G., A.A., A. Sh., Xh.T., M.Sh., B.P., L.S., A.K., H.R. dhe F.G., të ushtruara kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 11.11.2016.

Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, pretendimet e bëra në ankesë nuk qëndrojnë ngase nga shkresat e lëndës rezulton se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit janë kryes të veprës penale për te cilën po dyshohen.

KALLXO.com ekskluzivisht kishte raportuar javë më parë për pretendimet e Prokurorisë lidhur me këtë grup e gjithashtu edhe për arrestimin dhe caktimin e paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve.