Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Të dyshuarit për grabitje shkaktojnë aksident gjatë ikjes nga policia

Katër persona janë arrestuar nga policia në Gjilan për grabitje në një pikë karburantesh.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit sot rreth orës 3:00 janë ndalur me veturën e tyre në një pikë karburantesh, ku njëri nga të dyshuarit ka kërkuar të blejë disa pije, e tjetri ka tentuar të furnizojë veturën me derivate.

“ Me të dalë ankuesi për ta mbushur veturën me derivate, i dyshuari i tretë e godet ankuesin në gjoks dhe e kërcënon me thikë. Ankuesi ka arritur të ikë dhe të mbyllet në objektin e pompës, pa pësuar lëndime”, njofton policia.

Të dyshuarit pasi kanë mbushur veturën me derivate janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit nuk janë ndalur në shenjen e policisë për ndalim dhe në ikje e sipër kanë goditur dy vetura.

Njësitet policore kanë arritur që ta ndalin fillimisht njërin nga të dyshuarit, me pastaj nga njësiti i hetimeve janë arrestuar edhe tre të dyshuarit tjerë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit të gjithë të dyshuarve pasi janë marrë në pyetje në prani të avokatëve mbrojtës u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet ndërsa është cilësuar si grabitje.