Të Burgosurat në Lipjan Shpresojnë Lirinë në Ditën e Pavarësisë

Sa herë që afrohet 17 Shkurti, në Qendrën Korrektuese të Lipjanit rritet shpresa te të burgosurit se do të falen nga presidenti i vendit.

Në Qendrën e vetme Korrektuese për femra dhe të mitur janë 94 të burgosur. 25 prej tyre i kanë dërguar kërkesë për lirim presidentit Hashim Thaçi.

NDËRLIDHUR

Në pritje të një përgjigjeje, të burgosurat e kësaj Qendre kanë përgatitur tortë për ta festuar Ditën e Pavarësisë.

Ndërsa, Heset Loku, drejtor i kësaj Qendre, thotë se për dallim nga vitet e kaluara sivjet nuk do të organizohet ndonjë koncert.

“Sa i përket festimeve për nder të Ditës së Pavarësisë, 17 Shkurtit, ne viteve tjera kemi organizuar edhe koncerte me përfaqësuesit e estradës së Kosovës mirëpo këtë vit nuk kemi arritë të kontaktojmë me dikë që ka qenë i gatshëm për shkak të angazhimeve që i kanë në prag të festës”, tha Loku.

E burgosura, Valentina Tufina, e njohur si “Tezja e Kokainës”, për shkak të pamundësisë që të aplikojë vetë, shpreson se Presidenti do të falë ndonjë të burgosur tjetër.

“Shumë mësim merr nga burgu. Unë s’e kam ditë. Ky është universitet për mua. I them Presidentit se çdo njeri gabon në jetë por duhet me fal dikush që të mësojnë dhe të tjerat”, tha Tufina.

Ndërkaq, Doruntina, e burgosura që në Qendër hyri si e mitur, konsideron që kjo kohë i ka shërbyer për të reflektuar mbi veprimet që do t’i bëjë në të ardhmen.

“Çdo njeri gabon, unë jam 20 vjeçare dhe kam marrë shumë shkollë këtu që kurrë më nuk mundem me gabu”, u shpreh Doruntina.

Në kohën kur ishte presidente, Atifete Jahjaga, nuk e kishte falur asnjë prej femrave dhe të miturve të kësaj Qendre.

Këtë e konsideron diskriminim Adelina, e dënuara me 18 vjet burgim për vrasje.

Ajo shpreson se këtë vit do ndryshojë vullneti i Presidentit për këtë kategori.

“Unë po shpresoj që Presidenti kësaj here ka me bo diçka. Nuk është e rëndësishme kush falet, është me rëndësi që është fillim i mbarë nëse veç ndërmerr diçka në këtë drejtim. Ju uroj festën gjithë shqiptarëve”, tha Adelina.

Në Zyrën e Presidentit sivjet kanë shkuar 694 kërkesa për falje nga të burgosurit e të gjitha qendrave korrektuese.

17 Shkurt 2017 - 12:30

Doruntina Baliu 17/02/2017 - 12:30
NDËRVEPRIMI0

Të Burgosurat në Lipjan Shpresojnë Lirinë në Ditën e Pavarësisë

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI

Send this to a friend