Rangimi i Kosovës ndër vite në Raportin e të bërit biznes - Foto: Facebook

Të Bërit Biznes, Mustafa Meritat ia Atribuon Qeverisë së Tij

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, ka reaguar pas rangimit më të mirë të Kosovës në listën e shteteve sa u përket kushteve të të bërit biznes.

Meritat për këtë përparim të Kosovës, Mustafa ia atribuon Qeverisë të cilën e ka drejtuar ai.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, ish-kryeministri ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja ka punuar në kushtet më të vështira.

“Përkundër kësaj, vlerësimet dhe rezultatet shumë pozitive, reformuese e zhvillimore të punës sonë po dalin në pah. Jemi renditur si top reformator në Evropë dhe si reformatori i 4 në botë. Vendi i 40 me kushtet më të mira të të bërit biznes në botë, me shumë prej vendeve të rajonit mbrapa Kosovës”, ka shkruar ish-shefi i Qeverisë.

Sipas raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes, Kosova ka përparuar për 21 vende: nga vendi i 61-të në të 40-tin.

Po ashtu, në këtë aspekt, Kosova është radhitur në mesin e 10 vendeve më reformatore.

Ndërsa, kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lajm shumë të mirë për vendin rangimin e Kosovës nga pozita e 61-të në pozitën e 40-të sipas Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2018.

“Kjo punë e mirë, në radhë të parë është punë e mirë e Task Forcës të të Bërit Biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por njëkohësisht për një rezultat të tillë kemi marrë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme përmes ekspertizës të Bankës Botërore dhe USAID-it”, tha kryeministri Haradinaj në një konferencë për media.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, e cilësoi këtë si një lajm shumë të mirë duke theksuar se janë në përfundim të procedimit të Ligjit për Investime Strategjike, i cili së bashku më këtë raport i ofron mundësi Kosovës që të shihet më ndryshe nga investitorët e jashtëm.

Kurse, përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, dhe drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, thanë se ndihen të kënaqur që po e ndajnë këtë lajm të mirë për Kosovën në fushën e të bërit biznes, duke e cilësuar moment të rëndësishëm shënimin e progresit drejt rritjes dhe zhvillimit më të madh ekonomik në Kosovë.

Ata theksuan se lëvizja për 20 vende është e arritur e madhe dhe reflekton punën e madhe të Qeverisë, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, drejtori i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, njëherësh udhëheqës i Task Forcës për të Bërit Biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini, numëroi disa nga indikatorët që kanë ndikuar në rangimin më të mirë të Kosovës dhe në krijimin e ambientit më të favorshëm për të bërit biznes, e që janë: fillimi i biznesit; marrja e kredive dhe mbyllja e biznesit.

Sipas këtij raporti Kosova është njohur si shteti i katërt më i reformuar në botë gjatë këtij viti.