Të Akuzuarit për Terrorizëm Kandidatë të LVV-së

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi ka njoftuar përmes profilit të tij në Facebook se “Vetëvendosje” ka vendosur ta kandidojë atë, Egzon Halitin, Adea Batushën dhe Atdhe Arifin për deputetë.

“Sapo u njoftova që Lëvizja ka vendosur që unë, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi të garojmë për deputetë të saj. I falënderoj të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar këta 9 muaj prej kur jemi nën arrest “, shkroi Krasniqi.

Ai bashkë me Egzon Halitin, Adea Batushën dhe Atdhe Arifin  akuzohen për terrorizëm në lidhje me sulmin me granatahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit në gusht të vitit të kaluar, ndërsa kanë të caktuar masën e arrestit shtëpiak.

http://kallxo.com/aktakuze-per-terrorizem-ndaj-aktivisteve-te-vetevendosjes/

Në nëntor të vitit që shkoi, aktivisti i “Vetëvendosjes” Astrit Dehari që po hetohej për të njëjtin sulm, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej i paraburgosur.

Në postimin e tij, Frashër Krasniqi deklaroi se pas zgjedhjeve të 11 qershorit drejtësia për Deharin do të vihet në vend.

“Më 11 qershor, ndryshimi do të ndodh. Ky ndryshim, do t’i hapë rrugët që drejtësia për Astritin të vihet në vend!”, ka shkruar Frashër Krasniqi në Facebook.

“Vetëvendosje” në zgjedhjet e 11 qershorit ka vendosur të garojë vetëm, për dallim nga partitë tjera që kanë lidhur koalicione.