Të Akuzuarit për Shitje Narkotikësh nuk Shkojnë në Gjykatë

Bajram Bytyqi e Naim Fondaj nuk u paraqitën në gjykatë në gjykimin ku bashkë me Gëzim Bugarin po akuzohen se duke vepruar në grup kanë shitur, shpërndarë e transportuar narkotikë.

Për shkak të mungesës së dy të akuzuarve, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri u detyrua ta shtyjë seancën.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as E’them Rogova,avokati i Bajram Bytyqit.

Por Rogova kishte njoftuar gjykatën me një parashtresë se nuk do të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor, ngase i mbrojturi i tij ndodhej jashtë vendit.

Gjyqtarja Shadije Gërguri pas parashtresës së avokatit tha se do të kërkojë nga policia që të akuzuarit Bajram Bytyqi t’ia verifikojë vendbanimin, ndërsa për Naim Fondajn, të akuzuarin që e pranoi në mënyrë të rregullt ftesën tha se do të lëshojë urdhërarrest për sjellje të tij me detyrim në gjykatë.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin mars.

Sipas aktakuzës Gëzim Bugari, Bajram Bytyqi e Naim Fondaj si anëtar të një grupi pa autorizim, kanë shpërndarë, shitur, transportuar dhe dërguar substanca a preparate të cilat janë shpallur të rrezikshme.

Prokuroria pretendon se në qershor të vitit 2009 në rrugën magjistrale Prishtinë-Prizren, gjatë ndalimit dhe kontrollimit të veturës së të pandehurit Gëzim Bugari, të cilin e kanë përcjellë dy të akuzuarit e tjerë Bajram Bytyqi e Naim Fondaj, policia në veturë ka gjetur dhe konfiskuar tetë paketime me pluhur ngjyrë kafe të llojit heroinë të mbështjella me ngjitës plastik në peshë prej 3936.67 gramë.

Në aktakuzë thuhet se 2 kilogramë nga kjo drogë Bugari ua kishte dhënë dy të akuzuarve tjerë Bajram Bytyqit e Naim Fondajt.

Në të njëjtën ditë, sipas aktakuzës, gjatë kontrollimit të shtëpisë së të pandehurit Bajram Bytyqi në fshatin Semetisht policia ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike të cilën e mbante pa leje valide prej kohës së luftës.

Prandaj Bytyqi, përveç për narkotikë, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.