Nga një aksion i transmetuar në Rubrikën 'Policia' të 'Drejtësisë në Kosovë"

Të Akuzuar për Transport Droge, Polici e Mjeku Deklarohen të Pafajshëm

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës të akuzuarit Shemsedin Geci, Valon Malaj dhe Adnan Gerxhaliu u deklaruan të pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Shemsedin Gecin, Valon Malajn dhe Adnan Gerxhaliun sepse në korrik të vitit 2017 së bashku me shtetasin shqiptar Erion Shajupi-Eri, pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike – marihuanë.

Sipas aktakuzës, së pari të pandehurit Shemsedin Geci dhe Valon Malaj së bashku me shtetasin e Shqipërisë të quajtur Eri takohen në kafenenë “Time Caffe “, ish-kafeneja “Te Oki“ në Skenderaj ku edhe arrijnë marrëveshjen për transport.

Më pas, në aktakuzë tregohet si ishte bërë transporti i drogës.

I pandehuri Shemsedin Geci merr automjetin e markës “Golf 4“ në një “Rent a Car“, në fshatin Llaushë, dhe më pas në shoqërinë e të pandehurit Valon Malaj nisen për në pjesën veriore të Mitrovicës.

Tutje në aktakuzë thuhet se nga Skenderaj deri në Mitrovicë dy të lartëcekurit ishin përcjellë nga shtetasi shqiptar Eri, i cili kishte qenë duke vozitur automjetin e markës “Jaguar“, pronë e Valon Malajt.

Afër “ETC”-së në Mitrovicë takohen me të pandehurin Adnan Gerxhaliu, i cili me automjetin e markës “Golf 2” përcjell në Lagjen e Boshnjakëve automjetin tjetër “Golf 4”, të cilin e drejtonte Shemsedin Geci.

Më pas në aktakuzë thuhet se Shemsedin Geci ishte ndalur nga Policia në rrugën “Osllobogjenja“ me ç’rast gjatë kontrollimit të bagazhit i janë gjetur dhe sekuestruar 10 paketime me marihuanë në peshë 8.6 kilogramë, ndërsa nga i pandehuri Valon Malaj konfiskohen para në vlerë prej 2.115 euro.

Me këtë në bashkëkryerje me të lartëcekurin Erion Shajupin kanë kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope.

Hetuesi policor Shemsedin Geci u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën që i vihet në barrë.

Njëjtë janë shprehur edhe dy të akuzuarit e tjerë, Valon Malaj dhe Adnan Gerxhaliu.

I akuzuari Malaj po ashtu akuzohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, për të cilën e ka pranuar fajësinë.

Gjyqtari Burim Ademi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Valon Malaj lidhur me veprën penale të lartëcekur.

Po ashtu, në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Adnan Gerxhaliu, avokati Mahmut Halimi, i cili u deklarua edhe në emër të dy mbrojtësve të tjerë, avokatëve Vehbi Beqiri dhe Fatmire Braha, ka kërkuar nga Gjykata që atyre t’u ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Njazi Rexha, i cili shtoi se ende ekziston baza ligjore me çka edhe është vazhduar kjo masë për të pandehurit.

Lidhur me këtë gjyqtari Burim Ademi njoftoi se Gjykata do të marrë vendim jashtë seancës.

Po ashtu, ai njoftoi se lidhur me aktakuzën palët kundërshtimet e tyre mund t’i paraqesin në afat prej 30 ditësh, ndërsa seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet por lidhur me këto kundërshtime nëse do të ketë Gjykata do të vendosë jashtë seancës gjyqësore.

Dyshimet për Policin që Transportoi Drogë Drejt Mitrovicës

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e tjera të rastit ndaj policit hetues Shemsedin Geci dhe stomatologut Valon Malaj.