Tanja Fajon, deputete e Parlamentit Evropian. Foto: Facebook

Tanja Fajon: Topi Tash Është në Fushën e Kosovës

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka thënë se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi para se Bashkimi Evropian ta marrë një vendim për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shëngen.

Komentet e Fajon u bënë pas votimit të djeshëm në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian në të cilin anëtarët e komitetit i dhanë mbështetje raportit të saj për Kosovën por jo edhe propozimit për hapjen e negociatave për liberalizim të vizave.

Kjo çështje u la të diskutohet vetëm atëherë kur Kosova t’i adresojë kërkesat e mebtura.

“Jam shumë e lumtur që Komiteti LIBE mbështeti raportin tim në një përpjekje për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës njëherë e përgjithmonë. Topi tash është në fushën e Kosovës. Janë edhe dy çështje të mbetura që duhet të adresohen nga Kuvendi në Prishtinë para se ne t’i fillojmë negociatat për liberalizimin e vizave”, tha Fajon.

“Ne besojmë fuqishëm që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe liberalizimi i vizave është një hap në atë drejtim. Megjithatë ne nuk mund t’i bëjmë rregullat- ne duam të shohim që këto çështjet përfundimtare të adresohen para se të fillojnë negociatat”, tha Fajon.

“Ne kërkojmë nga qeveria që ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi”, u shpreh ajo duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar në gusht të vitit të kaluar qeveria e hoqi nga procedura e votimit në seancën e javës së kaluar.

Negociatat e Kosovës me Bashkimin Evropian për liberalizim të vizave kanë filluar në vitin 2012. Para Kosovës, të gjitha shtetet e rajonit kanë marrë dritën e gjelbër për udhëtim pa viza në zonën Shëngen.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, pas votimit të djeshëm, mirëpriti vendimin e nxjerrë duke e vlerësuar atë si “pozitiv”.

“Votimin duhet ta kuptojmë edhe një rikonfirmim të radhës për mbështetjen që lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve të Kosovës e gëzon tek eurodeputetët e përfaqësuar në këtë komision të Parlamentit Evropian, dhe është një hap përpara drejt vendimit përfundimtar”, tha Çollaku.

Ministri Çollaku tha se uron që ky process të kryhet “sa më shpejt”.

“Qytetarët e Kosovës e kanë merituar trajtimin e barabartë me fqinjët e tyre qe një kohë të gjatë, dhe institucionet e Kosovës kanë bërë punë të pakursyer në përmbushjen e kërkesave të parashtruara në këtë process”, tha ai.

Vendimi eventual i Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave pritet t’i hapë udhë një vendimi tjetër të shteteve anëtare të BE-së dhe Këshillit të BE-së.