Albin Kurti duke hyrë në selinë e VV-së | Foto: KALLXO.com

Takimi “Unifikues” i Vetëvendosjes

Në mbledhjen e Kryesisë së Vetëvendosjes, të enjten e kaluar, u vendos për takim të përbashkët me Grupin Parlamentar të kësaj partie, në mënyrë që të gjenden rrugëdalje nga kriza në këtë parti.

Në këtë takim mes Kryesisë dhe Grupit Parlamentar që mbahet sot, pritet të marrin pjesë të dorëhequrit e Vetëvendosjes, të cilët në publik po cilësohen si “Krahu i Molliqajt”.

Dardan Molliqaj ka kondirmuar pjesëmarrjen e tij duke thënë se ky është lajm i mirë.

“Lajm shumë i mirë për Lëvizjen, aktivistët e saj si dhe për të gjithë simpatizuesit tanë vendimi i djeshëm i Kryesisë së Lëvizjes për takim të përbashkët me Grupin Parlamentar për të gjetur rrugëdalje nga kjo krizë, takim ky në të cilin padyshim se do të marrë pjesë”, ka shkruar ai në Facebook.

Por, ai shton se ndiihet i zhgënjyer që anëtarja e kryesisë Dejona Mihali votoi kundër këtij propozimi, ndërsa deputetët të cilët janë edhe anëtarë kryesie, Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla abstenuan dhe nuk votuan pro kësaj iniciative.

Më pas, Albulena Haxhiu e tha se kjo nuk është e vertetë dhe se kjo është shpifje.

“Dardan Molliqaj paska thënë që unë kam abstenuar per takimin e përbashkët ndërmjet kryesisë dhe grupit! Kjo është shpifje! Unë kam përkrahur takimin e përbashkët dhe i kam arsyet për këtë”, kashkruar Haxhiu në Facebook.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë thirrje për të gjithë që të ulen bashkë, ngase sipas tij nëse ndodhë ndarja të gjithë do të jenë më të dobët.

“Dorëheqjet në VV janë humbje, pa marr parasysh nga cili këndvështrim e sheh. Të gjithë janë të vlefshëm dhe të domosdoshëm për VV që është apo ishte pranë fitores. Në qoftë se ndodh ndarja do të jenë të gjithë më të dobët, edhe ata që rrijnë edhe ata që shkojnë, edhe deputetët edhe kryetarët. Thirrje për të gjithë të ulen bashkë. Mendime ndryshe ka me pas gjithmonë e posaçërisht kur organizata rritet”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa Albin Kurti, kandidati i vetëm për Kryetar në Lëvizjen Vetëvendosje, i cili të shtunën kërkoi zyrtarisht votën për të ardhur përsëri në krye të kësaj partie, pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar nuk ka folur para mediave për krizën në këtë parti.