Nga takimi në Bruksel më 1 shkurt

Takimi në Bruksel Mbyllet Shpejt dhe në Heshtje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe homologët e tyre serbë Tomislav Nikoliq e Aleksandar Vuçiq janë takuar sërish nën moderimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për herë të dytë brenda një jave.

Raportohet se asnjë nga liderët kosovarë e serbë nuk kanë bërë komente pas takimit.

Ndërsa Mogherini tha se në takimin e sontëm ka vazhduar diskutimi për temat që janë hapur në takimin e javës së kaluar kur palët u takuan me përbërje të njëjta.

“Jam e inkurajuar me angazhimin konstruktiv të treguar nga të dyja palët. Ky përkushtim dhe vullneti politik do të kontribuojnë që të zvogëlohen ndjeshëm tensionet dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, tha Mogherini.

Sipas shefes së diplomacisë europiane, dialogu është një proces i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për tërë rajonin si dhe Bashkimin Europian.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve është çelës për të dyja palët për ta mbajtur dhe avancuar rrugën drejt BE-së. Kjo është esenciale për stabilitetin në Europë dhe rajon”, tha ajo.

Mogherini tha gjithashtu se bashkëbiseduesit e sotnëm rikonfirmuan përkushtimin “për të punuar bashkë në dialog”.