Takimi Lumezi-Havolli

Takim për Luftën Kundër Korrupsionit

Sipas komunikatës së Prokurorisë së Shtetit Aleksandër Lumezi e Shaip Havolli, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion u takuan për të koordinuar veprimet në luftën kundër korrupsionit.

“Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi e njoftoi drejtorin Havolli se prokuroria është duke i trajtuar me prioritet lëndët që ndërlidhen me korrupsionin, sidomos ato të nivelit të lartë dhe gjithmonë u jepet prioritet lëndëve që vijnë nga Agjencia Kundër Korrupsionit,” thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, prokurori Lumerzi i kërkoi edhe Havollit që Agjencia Kundër Korrupsion të përqendrohet në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik.

Në komunikatë njoftohet se të dy palët “u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe parandalimit të tij, si dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë”.

Në takim kryeprokurori Lumezi foli fjalë të mira për ish-kreun e kundërkorrupsionit Hasan Pretenin, ndërsa ia uroi detyrën pasuesit të tij Shaip Havolli.