Festivali "Mirëdita, dobar dan!" | Foto: Facebook

Tahiri i Tregon Brukselit për Refuzimin që Beogradi i Bëri Jahjagës

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit në detyrë ka reaguar Edita Tahiri, pasi ish-Presidentes Atifete Jahjaga nuk iu lejua nga autoritetet serbe qëndrimi në Beograd në Festivalin “Mirëdita, dobar dan!”.

“Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar Bashkimin Europian për ndalesën e vizitës së ish- Presidentes, Atifete Jahjaga në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Komunikata sqaron se vizita e Jahjagës bëhej për qëllime humanitare e kulturore.

“Zonja Atifete Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe se vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare, për të paraqitur tragjedinë e grave të mbijetuara nga dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë nga ana e forcave serbe, në një ngjarje kulturore në Beograd”, thuhet në reagimin e Tahirit.

Tahiri më tutje sipas komunikatës thotë se Serbia nuk po mund të përballet me të kaluarën e saj.

“Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje me ndalimin e vizitës në Serbi ka shkruar në Facebook edhe ish-Presidentja Jahjaga.

“Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit ‘Unë Dua të Dëgjohem’ në kuadër të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’, ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Jahjaga.

Jahjaga tregoi më tutje se hyrja e saj në shtetin e Serbisë “u pamundësua me një arsyetim absurd”.

Ajo shprehu respekt për organizatorët e festivalit.

“Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”, shkroi Jahjaga.

Ajo tha se zyrtarët e sotëm në Beograd nuk e kanë ndërruar qasjen ndaj Kosovës.

“Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-ta kur kanë qenë edhe protagonistë”, shkroi jahjaga.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” do të zhvillohet nga 31 maji deri më 3 qershor në Beograd.

Ai ka për qëllim takimin e grupeve kulturore e shoqërore të Serbisë e Kosovës për të shkëmbyer ide dhe për të krijuar traditën e bashkëpunimit në një hapësirë të përbashkët kulturore.