Ministret Edita Tahiri dhe Dhurata Hoxha raportojnë para Komisionit për Legjislacion - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Serbia e Pengoi Implementimin e Marrëveshjes së Drejtësisë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është arsyetuar sot para deputetëve në lidhje me vonesën e implementimit të Marrëveshjeve të Drejtësisë, duke thënë se provokimet e njëpasnjëshme nga ana e Serbisë e kanë ngadalësuar këtë proces.

Edita Tahiri së bashku me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kanë raportuar sot para Komisionin për Legjislacion në lidhje me Marrëveshjen e Drejtësisë të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Muaj më herët, Tahiri kishte deklaruar se kjo Marrëveshje do të dekretohet dhe do të fillojë të implementohet më 10 janar 2017. Mirëpo kanë kaluar më shumë 40 ditë dhe ajo ende nuk ka filluar së implementuari. Sipas saj provokimet e shtetit të Serbisë e kanë lënë mbrapa këtë proces.

“Ka pasë të zbatohet me 10 janar. Marrëveshja është vonuar për shkak të situatave provokuese qe Serbia i bëri ndaj Kosovës si me rastin e trenit apo arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj”, tha Tahiri para deputetëve.

Edhe KALLXO.com kishte shkruar për mospërmbushjen e këtij premtimi nga ana e ministres Tahiri, kur përmes krypometrit e kishte argumentuar ikjen nga fjalët të ministres.

Rrena e Kryptë për Marrëveshjen për Drejtësi

Sipas Tahirit, kjo Marrëveshje i ka amnistuar ata që kanë vepruar ilegalisht, duke ia dhënë mundësinë që të punojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës.

“Kriteret kryesorë kanë qenë të jetë i pajisur me letërnjoftim të Kosovës, të ketë të arritur profesionale, te jetë lojal ndaj Republikës së Kosovës, të mos kenë pasur ndonjë ndeshje me ligjin e te gjitha kriteret e tjera në kuadër te ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha në mes tjerash Tahiri.

Ajo iu është përgjigjur deputetëve duke thënë se të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë do të jenë të njëjta si të gjithë zyrtarëve të tjerë.

E bisedimet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, si në këtë rast për çështjet e Drejtësisë, Tahiri është arsyetuar duke thënë se kjo ka ndihmuar në shuarjen e strukturave paralele.

“Ne kemi pasur ndërhyrje të shtetit fqinj, okupatorit me struktura brenda shtetit tonë, dhe duke e ditur që e kemi nisur dialogun në Bruksel është dashtë ta diskutojmë dhe sot kemi arritur ta shuajmë policinë paralele, doganën paralele të cilët kanë lëshuar edhe vula paralele, kemi dërguar institucionet tona në dy pikat kufitare, Bërnjak e Jarinje”, vazhdoi ajo.

E pranishme në këtë takim ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila tha se roli i ministrisë në këtë çështje ka qenë i kufizuar.

“Ministria ka qenë e kufizuar sa i përket kompetencave në lidhje me Marrëveshjet e Drejtësisë, për shkak që Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial janë organe të pavarura”, tha ministrja Hoxha.

Për moszbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë ka folur edhe kryeprokurori i Mitrovicës Shyqyri Syla në emisionin “Drejtësia në Kosovë”. Ai kishte thënë se stafi i kësaj Prokurorie është viktimë e kësaj Marrëveshjeje, për shkak se janë bërë plot 9 vjet që këta zyrtarë ushtrojnë detyrën e tyre në Vushtrri.

http://kallxo.com/syla-jemi-viktima-te-moszbatimit-te-marreveshjes-se-drejtesise/