Ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zv.ministri turk, Bilal Uçar - Foto: Facebook/AbelardTahiri

Tahiri: Policia e Prokuroria Po Merren me Rastin e Vrasjes së Ivanoviqit

Partia Liri, Demokraci dhe Drejtësi gjatë ditës së sotme ka kritikuar Policinë e Kosovës për hetimin rreth vrasjes së ish- liderit të saj. Oliver Ivanoviq.

Sipas zëdhënëses së partisë, Ksenija Bozhoviq, Policia nuk po zbulon detaje në lidhje me hetimin për vrasjen e muajit të kaluar të politikanit serb të Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha për KALLXO.com se Policia dhe prokuroria janë duke u marrë me zbardhjen e rastit.

“Institucionet e Kosovës, Policia dhe prokuroria janë duke bërë punën e tyre në zbardhjen e këtij rasti. Në kuadër të rregullativës ligjore në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, institucionet e Kosovës janë të vendosur për shkëmbimin e informacioneve me autoritetet serbe”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Sipas Tahirit, Ministria e tij është duke pritur përgjigje nga autoritetet serbe në lidhje me katër kërkesat e drejtuara tek autoritetet serbe për sigurimin e dëshmive.

“Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, tashmë ka dërguar në institucionet përkatëse në Serbi të gjitha informatat relevante të kërkuara nga organet serbe dhe të cilat në asnjë mënyrë nuk e cenojnë zhvillimin e hetimeve. Ne, si Ministri e Drejtësisë dhe prokuroria përkatëse në Mitrovicë, jemi në pritje të përgjigjeve nga autoritetet serbe në lidhje me katër kërkesat e drejtuara tek autoritetet serbe për sigurimin e dëshmive”, shtoi Tahiri.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen deri sa kryerësit e veprës së vrasjes së Ivanoviqit të dalin para drejtësisë.

Ivanoviq u qëllua për vdekje mëngjesin e 16 janarit para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore dhe vdiq më pas në spital.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarë të BE-së, Serbisë dhe Kosovës.

http://kallxo.com/zyrtare-vdes-oliver-ivanoviq/

Serbia dhe Kosova u zotuan se do të shkëmbenin informacione mbi hetimin, por që atëherë të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë vullneti për të bashkëpunuar.

http://kallxo.com/misioni-osbe-se-denon-vrasjen-e-oliver-ivanoviqit/

http://kallxo.com/mogherini-flet-thacin-e-vuciqin-pas-vrasjes-se-oliver-ivanoviqit/