ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Për të Rritur Sigurinë në Burgje Punësohen edhe 120 Gardianë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala, kanë nënshkruar një memorandum për monitorimin e punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, që ka për qëllim rritjen e transparencës.

Ministri Tahiri tha se këtë memorandum e nënshkruan në funksion të avancimit dhe respektimit edhe më tutje të të drejtave të burgosurve, në monitorimin e punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në monitorim të të gjitha institucioneve që ndërlidhen me shërbimin që e ofrojnë për të burgosurit.

“Ata njerëz që sot vuajnë dënimin për çfarëdo vepre, që janë në qendrat korrektuese në Republikën e Kosovës, nesër kur të dalin të jenë të gatshëm të jenë pjesë e shoqërisë tonë. Është obligim i joni që jo vetëm t’i mbajmë të mbyllur gjatë periudhës sa gjykatat ua kanë shqiptuar dënimin mirëpo edhe t’i bëjmë gati që nesër kurdo që ta kryejnë dënimin të jenë të gatshëm, të jenë pjesë e shoqërisë sonë, mos të ndihen të lënë anash”, tha ministri.

E kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është më transparenti.

“Ne nga të gjitha institucionet që i monitorojmë mund të them se Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, ka qenë shërbimi më transparent dhe më llogaridhënës duke mos na pengu asnjëherë”, tha ai.

Sa i përket numrit të madh të burgjeve, Tahiri tha se Kosova nuk ka nevojë për aq shumë burgje duke qenë se disa nga to kanë infrastrukturë të degraduar.

“Qendrat Korrektuese në Prizren dhe Pejë aktualisht nuk ofrojnë kushte mjaftueshëm për mbajtjen e të burgosurve sepse kemi degradim të asaj infrastrukture. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që t’i respektojmë në plotni kushtet e te burgosurve dhe nëse nuk i përmbushim duhet me i mbyll. Edhe jemi duke e konsuideru në gjë të tillë”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij një pjesë e të burgosurve e kanë menduar që t’i transferojnë në Dubravë e një pjesë në Prishtinë.

Ndërkaq, duke folur rreth radikalizmit në burgje, Tahiri tha se nuk do të lejojnë një gjë të tillë, ngase bashkë me Bashkësinë Islame të Kosovës e institucionet ndërkombëtare janë duke u marrë intensivisht me këtë punë.

Ministria e Drejtësisë ka lëshuar edhe një komunikatë për medie, ku konstaton se Burgu i Sigurisë së Lartë është shembull shumë i mirë i funksionimit, i respektimit të drejtave të burgosurve, dhe një shembull shumë i mirë i funksionimit të shërbimit korrektues në këtë qendër, të drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe gjithë stafit.

Sipas komunikatës, ministri Tahiri ka theksuar se ka mbështetjen e kryeministrit dhe të ministrit të Financave për të rritur sigurinë brenda burgjeve.

Në këtë aspekt, puna e parë që do të bëhet është rritja e numrit të gardianëve.

“Ne për vitin e ardhshëm kemi paraparë në buxhet edhe 120 gardianë shtesë që do të jenë. Kërkesa e Shërbimit Korrektues ka qenë diku rreth 80, mirëpo kemi gjetur mirëkuptimin e Ministrisë së Financave që të shtohen edhe për 40, kështu që kam përshtypjen se do të arrijmë të sigurojmë numër të mjaftueshëm të gardianëve në kuadër të Shërbimit Korrektues dhe nuk do të kemi probleme”, theksoi ministri Tahiri.

E drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, është shprehur i bindur se përkrahja e ministrit do t’iu mundësojë përmbushjen e nevojave që ka ky institucion.

“Ne e morëm një përkrahje shumë të fuqishme prej ministrit. Besoj që në këtë vit dhe vitin e ardhshëm do t’ia arrijmë qëllimit edhe për staf edhe për pajisje të sigurisë, dhe për të gjitha nevojat që i ka ky institucion”, tha Zogaj.