Ministrja Edita Tahiri raporton para Komisionit për Punë të Jashtme - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Dialogu Ndihmoi Shtrirjen e Sovranitetit

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i zhvilluar në Bruksel, ka ndihmuar shtrirjen e sovranitetit shtetëror në gjithë Kosovën, ka thënë sot ministrja për Dialog, Edita Tahiri para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

“Ky dialog ka afruar Kosovën me Bashkimin Evropian e NATO-n”, tha ministrja Tahiri.

Po ashtu, sipas udhëheqëses së delegacionit të Kosovës në bisedimet e Brukselit, ky dialog ka eliminuar pretendimet e Serbisë për ndarjen e Kosovës.  “Sidomos përmes marrëveshjes së IBM është vendosur kufiri ndërshtetëror mes Kosovës e Serbisë”, tha ajo.

“Në fazën e tretë të dialogut do të diskutohet për demarkacionin mes dy shteteve (Kosovë-Serbi) e do të përfundojë me njohjen mes dy vendeve”, tha ajo.

“Tema qendrore dhe e parë – çështja e të pagjeturve, nga Serbia kërkohet që të tregojë vendndodhjen e tyre”, shtoi Tahiri.

Si temë e fazës së tretë të bisedimeve me Serbinë ministrja përmendi edhe suksesionin.

Gjatë raportimit të saj para Komisionit të Punëve të Jashtme, ministrja ka përsëritur ato që i ka thënë në Seminarin Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i zhvilluar në Prishtinë.

http://kallxo.com/tahiri-njohja-ne-fund-te-dialogut/