Delegacioni kosovar në Bruksel | Foto: Zyra e Kryeministrit

Tahiri: Asociacioni Pas Marrjes së Kodit Telefonik

“Ministrja Tahiri në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin se pa e marrë Kosova kodin e vet telefonik dhe pa pavarësimin e KOSTT-it sipas marrëveshjeve të arritura në këto fusha në vitin 2013, Kosova nuk do të fillojë procesin e zbatimit të marrëveshjes për asociacionin,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas komunikatës, ministrja për dialog Tahiri zhvilloi dy takime në Bruksel, njërin me përfaqësues të BE-së e tjetrin me këta përfaqësues dhe palën serbe.

Komunikata bën me dije se sipas Tahirit “themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë mund të realizohet vetëm pasi të hiqen në tërësi strukturat e mbetura paralele të Serbisë në Kosovë”.

Në komunikatë njoftohet se në Bruksel u diskutua edhe për marrëveshjen për kthimin e kopjeve të dokumenteve kadastrale të marra nga Serbia në vitin 1999, një marrëveshje që u nënshkrua në vitin 2011.

Komunikata tregon se raundi i bisedimeve për marrëveshjen e kadastrave ka dështuar.

“Delegacioni serb ka kërkuar që dokumentet kadastrale të cilat kanë mundur të jenë të falsifikuara apo të keqpërdorura të trajtohen vetëm rastet që kanë të bëjnë me qytetarët serb, dhe se ky propozim është refuzuar kategorikisht nga ministrja Tahiri,” thuhet në komunikatë.