Tryeza për të drejtat e grave në pronë dhe dhunën gjinore - Foto: KALLXO.com

Tahiri: 62% e Qytetarëve Nuk Kanë Dëgjuar për Gratë që Trashëgojnë Pronë

Në tryezën për të drejtat e grave në pronë dhe dhunën gjinore, të organizuar nga OJQ “POLIS”, u tha se mungon vetëdijesimi i qytetarëve për të drejtat e grave për të trashëguar.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se 62 për qind e qytetarëve nuk kanë dëgjuar kurrë për ndonjë familjare apo mike e cila ka trashëguar pronë.
“62 për qind e qytetarëve nuk njohin asnjë grua që ka trashëguar pronë”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë është duke amandamentuar Kodin Penal, prej të cilit pritet ashpërsimi i ndëshkimeve për ushtruesit e dhunës ndaj grave.

“Me rishikimet që jemi duke i bërë në Kodin Penal jemi duke i ashpërsuar dënimet për veprat penale që kryhen ndaj viktimave të ndjeshme, që përfshin partnerin, bashkëshortët dhe fëmijët”, tha ministri.

Ndër të tjera, Tahiri tha se po bëhen përparime në fuqizimin e të drejtave të grave dhe vajzave në pronë duke i përmendur amandamentimin e Projektligjeve për Trashëgimi, për Procedurën Jokontestimore dhe atë për Noteri.

Ndërsa, kryetarja e Odës së Noterisë së Kosovës, Arbena Shehu, tha se ligjet në Kosovë janë në harmoni me ato europiane, megjithatë ajo shtoi se ka raste të shumta të personave të cilët e fshehin bashkëtrashëgimtarët gra apo vajza madje edhe të burrave, të cilët përpiqen të kryejnë regjistrimin e pronave pa praninë apo dijeninë e grave.

Përveç tjerash, Shehu theksoi rolin e edukimit të nxënësve nëpër shkolla në lidhje me të drejtën e grave në trashëgimi.
“Këtë duhet ta fusim edhe në kurrikulën shkollore sepse ashtu siç i kemi edukuar gjeneratat e reja ashtu do ta kemi edhe të ardhmen”, tha Shehu.

Tryeza u organizua me mbështetjen e USAID.

KALLXO.com dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë” kanë trajtuar gjerësisht temën e të drejtës së grave në trashëgimi në Kosovë.

http://kallxo.com/birn-dhe-ks-rekomandime-per-fuqizimin-e-te-drejtave-te-grave-ne-prone/

Raportet e KALLXO.com lidhur me të drejtën e grave në pronë mund t’i gjeni në këtë link.