Syla: Kanë Rënë edhe Mbretëri, por Jo Familja Jashari

Në konferencën shkencore për Jasharët e Prekazit u thanë shumë fjalë për luftën e këtyre familjeve në vitin 1998.

Drejtori i Institutit të Historisë Sabit Syla në hapje të konferencës tha se historia nuk njeh një familje tjetër të tillë.

“Për një ditë kanë rënë qeveri e mbretëri, por familja Jashari nuk ra përgjatë 5, 6 dhe 7 marsit. Historia nuk njeh një familje të tillë në histori”, tha Syla.

Në emër të Qeverisë të Kosovës dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua këshilltari politik i kryeministrit, Jahja Lluka, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës do të mbështesë Institutin e Historisë për kërkime dhe punime shkencore.

Ndërkaq, duke vlerësuar lart Adem Jasharin dhe luftën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës, Lluka tha se lufta dhe rezistenca e tyre, paraqesin vlerat më të larta të një familjeje e cila ka për synim lirinë.

“Emri i tij, kudo që përmendet, përkujtohet me krenari, nder e dinjitet. Ndaj figurës së tij nuk kanë respekt vetëm shqiptarët por edhe të tjerët. Veprimtaria e tij ka qenë shumëdimensionale, por me synim kryesor lirinë”, tha ai.

Ish zëdhënësi i Luftës së UÇK-së, Jakup Krasniqi, duke folur për kontributin e Jasharëve të Prekazit në luftën çlirimtare të Kosovës, tha se shekulli XX ishte shekulli i Prekazit.

“Shekulli XX ishte shekull i Prekazit. Dhe sa herë Kosova ka lëvizur, Prekazi ka qenë vendi ku ngjarjeve u ka dhënë një impuls më të rëndësishëm të atyre viteve dhe pa dyshim se këtu është familja e Shaban Jasharit dhe figura e veçantë e Adem Jasharit”, tha Krasniqi.

Konferenca është duke i vazhduar punimet.