Xhelal Sveçla - Foto: KALLXO.com

Sveçla: E Kuptojmë Luftën e Ndyrë të PDK-së

“Ne nuk kemi asnjë respekt e as mirëkuptim për këtë luftë të ndyrë të PDK-së, por megjithatë e kuptojmë. Një parti që më 11 qershor e ka konfirmuar opozitën e saj, kurse brenda muajsh rrezikon rënien tjetër e që mund të shkojë drejt zhdukjes, është në gjendje të bëjë gjithçka për t’u kthyer sërish në pushtet. Dhe këtë, për hir të pasurisë, e shumë prej tyre edhe të lirisë”, tha Xhelal Sveçla në një konferencë për media.

“Këtë e dinë edhe qytetarët e Kosovës. Është e qartë se kush është manipuluesi e cili i drejti në këtë shoqëri”, shtoi ai.

Arsyeja tjetër, mbase edhe më treguese se pse reagojnë, sulmojnë e shpifin, sipas Sveçlës është se po duan të shkaktojnë një bllokadë institucionale.

“Nuk i kanë votat për kryeparlamentar kurse ne dhe të gjithë qytetarët e Kosovës jemi duke i pritur që ata ta propozojnë emrin që atyre u takon. Ne jemi edhe duke shkuar në seancë për këtë”, theksoi ai.

Konferenca e thirrur sot sipas Sveçlës nuk ka për qëllim t’u përgjigjet akuzave sipas tij të paqena të PDK-së. Ata me çdo kusht po mundohen ta mbulojnë humbjen duke e eksportuar problemin e brendshëm dikah tjetër. “Por, asnjë makineri e shpifjeve nuk mund ta fshehë që PDK është humbëse. Pakthyeshëm”, theksoi ai.

“Po ashtu PDK-ja në asnjë moment nuk po pretendon se ajo është e mirë por mundohet të bind opinionin se të gjithë jemi njësoj. E kjo nuk është e vërtetë. Këtë çdo qytetar i Kosovës tashmë e ka parë. Shumica prej tyre edhe e kanë thënë më 11 qershor”.

Rreth akuzave për punësime partiake në arsimin e Prishtinës, Sveçla ka ofruar një tabelë që sipas tij tregojnë se si është rritur mesatarja e notës së të punësuarve. “Komuna e Prishtinës e ka përgjysmuar punësimin e atyre me notë mesatare 6 – 7 dhe e ka dyfishuar punësimin me notë superiore 9 – 10”, tha ai.

“Po ashtu të gjithë parametrat tjerë dëshmojnë ngritje në cilësi në shërbime, transparencë, kontroll dhe zvogëlim në shpenzime administrative, etj.”, theksoi Sveçla.

Sa i përket akuzave të PDK-së për keqqeverisje të Shpend Ahmetit në Prishtinë, Xhelal Sveçla tha se çmimet dhe raportet ndërkombëtare për kryetarin e kryeqytetit dhe punën e tij flasin më së miri.