Suspendohet Prokurori Ali Rexha

Ali Rexha, prokurori i Prokurorisë Speciale është suspenduar.

Lajmin për suspendimin e Rexhës e bëri të ditur për KALLXO.com kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku.

“Është e vërtetë”, tha Millaku kur u pyet për suspendimin e Rexhës.

Millaku tregoi se për sa kohë është suspenduar prokurori Rexha. Tha se në vendimi për suspendim shkruhet se zgjat 6 muaj.

Millaku tregoi se vendimi për suspendimin nuk është përfundimtar, ndërsa tha se ndaj këtij vendimi, Rexha ka të drejtë ankese.

I pyetur nga KALLXO.com në lidhje me suspendimin e tij, prokurori Ali Rexha u përgjigj shkurt duke thënë që “njerëzit po bajnë hajgare”.

Suspendimi i Rexhës lidhet me raportimin se Rexha kishte nisur hetimet ndaj Sevdije Morinës, Jetish Malokut dhe Bajram Ukës në lidhje me vazhdimin e mandatit të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagoi pastaj duke thënë se për këto hetime ishte vendosur, duke konstatuar se Rexha këto hetime i kishte nisur në kundërshtim me ligjin dhe për hakmarrje.