Supremja e ‘Shpëton’ Lesna-n nga Përmbarimi për 318 Mijë Euro

Kolegji i Gjykatës Supreme i kryesuar nga gjyqtari Erdogan Haxhibeqiri, në aktvendimin e Supremes ka prishur aktvendimin e Gjykatës së Apelit Ae.ne.231/2016, i cili e kishte lënë në fuqi urdhrin përmbarimor të nxjerrë nga zyra përmbaruese “Vais Law”.

Sipas aktvendimit c.nr.96/2007 të ish-Gjykata Ekonomike e Qarkut, ndërmarrja”Lesna” i detyrohej Ndërmarrjes Publike Banesore 318.315,63 Euro.

Siç shihet nga shkresat e lëndës që ka siguruar KALLXO.com, Ndërmarrja Publike Banesore në vitin 2001 kishte lidhur kontratë me Ndërmarrjen “Lesna”, pronë e Hashim Deshishkut dhe vëllezërve të tij, për ndërtimin e objektit banesor afarist te “Kroi i Bardhë”, në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Dhe në bazë të aktvendimit të Gjykatës Ekonomike të Qarkut të vitit 2007, Ndërmarrja Publike Banesore i kishte paguar në 12 njësi ndërmarrjes “Lesna” 318.315,63 euro më tepër se sa punët e kontraktuara.

Si rrjedhojë e kësaj, Ndërmarrja Publike Banesore në vitin 2004 kishte ushtruar padi për kthimin e mjeteve të cilat ishin paguar më tepër në llogari të ndërmarrjes “Lesna”.

Pas disa vitesh procedurash gjyqësore, Ndërmarrja Publike Banesore kishte dërguar lëndën te përmbaruesit privatë.

Ndaj urdhrit përmbarimor, ndërmarrja “Lensa”, kishte ushtruar prapësim, mirëpo Gjykata e Apelit me aktvendimin e saj në dhjetor të vitit 2016  kishte lënë në fuqi urdhrin përmbarimor.

Pas kësaj, kompania “Lesna”, përmes Zyrës së Prokurorit të Shtetit, kishte kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë, pasi që sipas pretendimeve të tyre u është mohuar e drejta për t`u mbrojtur, sepse një nga aktvendimet e Gjykatës nuk iu ishte dërguar, apo i ishte dërguar avokates që ia kishin tërhequr autorizimin dhe për këtë veprim siç shihet në aktvendimin e Gjykatës Supreme e paditura- kundër paditësja “Lesna” e kishte njoftuar me shkrim Gjykatën.

“Gjykata Supreme e Kosovës, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit të Kosovës e vlerëson si të bazuar, ngase, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate aktvendimi i goditur është marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit në mënyrë jo të drejtë të dispozitave të këtij ligji e të cilat kanë pasur ndikim në nxjerrjen e aktvendimit të ligjshëm si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për çka është dashtë që të dy aktvendimet e cekura më lartë të prishen dhe lënda t`i kthehet gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Supreme.

KALLXO.com ka kontaktuar me Genc Hundozin nga Ndërmarrja Publike Banesore për të marrë një koment lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, mirëpo ai ka deklaruar e nuk ka çfarë të thotë derisa nuk kanë pranuar ende asnjë vendim nga Supremja.

“Ne nuk kemi pranuar kurrfarë vendimi nga askush ende. Dhe nuk kam çfarë të komentoj derisa s`kemi pranuar zyrtarisht asgjë rreth vendimit të Gjykatës Supreme. Ne nuk kemi kurrfarë informacioni se Supremja ka nxjerrë ndonjë vendim as pro e as kundër. Mirëpo, ajo çfarë mund të them është fakti se për muaj të tërë nuk është lejuar përmbarimi, me gjithë faktin se ka qenë i formës së prerë”, ka deklaruar Hundozi nga NPB-ja.

KALLXO.com ka kontaktuar me Bekim Deshishkun, pronar i kompanisë “Lesna”. Ai ka deklaruar se nuk kanë pranuar ende vendimin nga Gjykata dhe se derisa nuk e kanë pronar vendimin, ata nuk mund të komentojnë asgjë rreth këtij rasti.

Në një nga emisionet e radhës, “Drejtësia në Kosovë” do të sjellë tërë historinë e kontestit më shumë se 15 vjeçar në mes të Ndërmarrjes Publike Banesore dhe Ndërmarrjes Prodhuese Qarkulluese “Lesna”.