Sulmohet Shtëpia e një Polici në Zubin-Potok

Në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me granatë dore dhe të shtëna armësh shtëpia e një polici në Zubin-Potok.

Sulmi ka ndodhur në orën 3 e 30 të mëngjesit.

Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com Besim Hoti, zëvendësdrejtori i policisë në veri të vendit.

“Policia ka dalë në vend të ngjarjes në shtëpinë e një polici të Kosovës dhe në oborrin e tij dyshohet se është hedhur një granatë dore. Fatmirësisht, përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz. Përveç granatës, dyshohet se ka pasur edhe të shtëna armësh,” tha Hoti.

Ai bëri të ditur se nga sulmi janë dëmtuar muret e shtëpisë, një dyqan afër saj dhe një makinë që ishte e parkuar në oborrin e shtëpisë së sulmuar.

Sipas Hotit, policia është duke i kryer hetimet, kryesi ende është i panjohur, ndërsa nuk dihen as motivet e sulmit.