Foto: Policia

Sulmohet roja e pyllit dhe i grabitet arma

Një roje e pyllit në Dobratin të Podujevës është sulmuar dhe i është grabitur arma zyrtare.

Policia njofton se sulmi ndodhi mbrëmë, ndërsa u krye nga tre persona të dyshuar.

“Dje rreth orës 22:00 policia ka pranuar informacion se në fshatin Dobratin të Podujevës, tre persona të dyshuar kanë sulmuar rojën e pyllit dhe i kanë grabitur armën zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia më tutje në njoftim bën të ditur se ka identifikuar të dyshuarit për sulmin dhe grabitjen dhe sekuestruar armën e cila i është grabitur rojës së pyllit.