Objekti i Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Sulmohet Fizikisht Drejtori i QKMF-së në Gjakovë

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të hënën më 12 qershor, në zyrën e drejtorit të QKMF-së, Kujtim Zarari, i cili si pasojë e sulmit është detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit “Isa Grezda”.

Lajmin për media e ka bërë të ditur Zyra për Informim e Komunës së Gjakovës.

Kjo komunikatë sqaron se motiv i këtij konflikti ka qenë një konkurs i hapur në departamentin ku punon edhe sulmuesi i dyshuar Musë Gjergjaj.

“Pas ndryshimit të Statutit të QKMF-së nga Asambleja Komunale e Gjakovës, menaxhmenti i QKMF-së është i obliguar ta themelojë Departamentin e Administratës dhe ta zgjedhë përmes konkursit kryeshefin e këtij Departamenti”, thekson Komuna në një komunikatë.

“Me këtë konkurs nuk është pajtuar z. Gjergjaj, i cili deri më tani ka qenë në pozitën e shefit të Sektorit Administratës. Përmes disa shkresave ai ka kërkuar që në mënyrë automatike të emërohet në pozitën e shefit të Departamentit të Administratës, gjë e cila sipas ligjeve në fuqi është shkelje e rëndë ligjore, pasi kalimi nga pozita e shefit të Sektorit në pozitën e kryeshefit të Departamentit të Administratës duhet të bëhet përmes konkursit e jo përmes transferimit të kompetencave”, thuhet në komunikatë.

Aktualisht Musë Gjergjaj është suspenduar nga puna për afatin e caktuar prej 6 muajsh, ndërsa janë duke u zhvilluar edhe procedurat tjera administrative.