Sulmohet Bashkëshortja e Ministrit Stavileci

Policia ka njoftuar se rreth orës 14:00 ka marrë informacion se në lagjen Veternik në Prishtinë, një grua është sulmuar fizikisht nga persona të dyshuar.

KALLXO.com mëson se e sulmuara është bashkëshortja e ministrit në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

“V.S., femër, shtetase e Republikës së Kosovës, e cili ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes si dhe përfundimit të procedurave fillestare nga ana e policisë, puna hetimore është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Ndërkohë që në stacionin policor Jugu në Prishtinë, në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti lëndim trupor.