Sulmi Ndaj Vuçiqit në Srebrenicë ‘Ende nën Hetim”

Kryetari i komunës së Srebrenicës, Camil Durakoviq, tha të hënën se edhe pse hetimi për një nga autorët e dyshuar të sulmit të vitit të kaluar ndaj Vuçiqit është pezulluar, çështja kundër tre të tjerëve vazhdon, ndryshe nga akuzat nga ana e zyrtarëve serbë.

“Hetimi ndaj një personi është pezulluar, por nuk është hedhur poshtë. Ata po reagojnë politikisht ndaj vendimeve të prokurorisë,” tha Durakoviq për stacionin televiziv rajonal N1.

Komentet e tij erdhën pasi ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiq, reagoi me zemërim për lajmërimin e javës së fundit nga prokurorët shtetërorë boshnjakë se ata kishin pezulluar hetimin për një nga katër të dyshuarit, Almir Merdiq.

Daçiq i akuzoi autoritetet boshnjake se po mbronin sulmuesit që i gjuajtën me shishe dhe gurë Vuçiqit në përkujtimoren e korrikut të kaluar me rastin e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës në qendrën përkujtimore në Potocari.

“Për një vit me radhë ata nuk bënë asgjë për të zbuluar sulmuesit dhe organizatorët, por bënë gjithçka për t’i mbrojtur ata,” tha Daçiq të shtunën.

Sadik Ahmetoviq, një deputet në Dhomën e Përfaqësuesve të Bosnjës, tha se deklarata e Daçiq ishte e keqe për “paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Por ai sulmoi gjithashtu Vuçiqin, i cili në prag të përkujtimores kundërshtoi një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila i përkufizonte masakrat e Srebrenicës si gjenocid dhe tha se ish-komandanti boshnjak i kohës së luftës Naser Oriq duhej të ekstradohej në Serbi pasi u arrestua në Zvicër, sepse ai kreu një krim lufte kundër serbëve në vitet 1990.

“Aleksandër Vuçiq sulmoi veten në Potocari, sepse grupet e njerëzve reaguan dhe askush s’mund ta kontrollonte këtë për shkak të deklaratave të mëparshme të Vuçiqit për një rezolutë të OKB-së për Srebrenicën, arrestimin e Naser Oriq në Zvicër dhe shumë gjëra të tjera,” tha Ahmetoviq të shtunën.

Daçiq reagoi duke kritikuar komentet e Ahmetoviqit.

“Deklarata e bërë nga Sadik Ahmetoviq se kryeministri serb Aleksandër Vuçiq kishte faj dhe se ai e sulmoi vetë veten përmbledh politikanët boshnjakë në Bosnjë dhe Hercegovinë,” tha Daçiq në një deklaratë, raportoi të dielën agjencia e lajmeve Beta.