Pamje pas sulmit terrorist në Londër - Foto: BBC/AP

Sulm Terrorist në Londër

Një grua ka vdekur dhe shumë persona janë plagosur në një sulm të cilin autoritetet britanike po e cilësojnë si sulm terrorist.

Sulmi ka ndodhur sot pasdite në afërsi të Parlamentit britanik, në qendër të Londrës.

BBC përmend dy incidente të ndara.

Një burrë, me gjasë i armatosur me thikë, ka sulmuar një polic brenda oborrit të Parlamentit britanik. Ai është vrarë nga një polic i armatosur.

Ndërsa, përballë vendit të këtij incidenti, një veturë “4×4” ka shkelur shumë këmbësorë mbi urën Westminster.

Për shkak të këtyre incidenteve, Parlamenti ka ndërprerë seancën.

Deputetët kanë marrë urdhër të qëndrojnë brenda, e më pas janë larguar.

Ndërsa, kryeministrja Theresa May, e cila në mesditë ka marrë pjesë në seancën e pyetje-përgjigjeve, është parë të jetë evakuuar.