Protesta kundër deklaratave rreth ngacmimit seksual | Foto: KALLXO.com

Studentët Gjuajnë në Oborr të Rektoratit Kodin Etik të UP-së

Në një protestë  që u zhvillua sot kundër deklaratave të prorektores Teuta Pustina- Krasniqi në lidhje me ngacmimet seksuale, protestuesit hodhën në oborr të Rektoratit Kodin Etik të Stafit Akademik të UP-së.

Para pak ditësh mediat publikuan një deklaratë të prorektores Pustina- Krasniqi, në të cilën ajo edhe pse nuk arsyetonte ngacmimet seksuale në UP, fajësonte për to veshjet provokative, duke konstatuar se ato krijojnë efekt psikologjik.

Alban Retkoceri, njëri nga protestuesit, provokativ e konsideroi Universitetin e Prishtinës.

“Ngacmimet seksuale ndodhin çdo ditë në universitet, jo vetëm nga studentet, por edhe nga profesorët e nga asistentët. Provokativ është ky institucion dhe veprimet e tij. Nuk do të lejojmë më që kjo te ndodhë”, tha Retkoceri.

Ndërsa Jeta Berisha tregoi se ishte vetë viktimë e ngacmimit seksual, ndërsa deklaroi se profesori që e ngacmoi ende punon në UP.

“Para dy viteve kur isha duke ndjekur universitetin e arteve u ngacmova nga një profesor e ai profesor ende është duke dhënë mësim”, tha Berisha.

Ajo tregoi se si ndodhi ngacmimi.

“Ai më ftoi në zyre për te më dhënë një CD ku unë do analizoja një film. E mbylli derën nën arsyetimin se të jemi të qetë. E futi cd në dvd dhe unë e hutuar para ato televizioni gjigand më erdhi nga mbrapa dhe më mbështolli me krahët e tij”, tha Berisha.

Ajo deklaroi se rezistoi, por u frikësua se mund t’i ndodhte përdhunimi.

“Po unë rezistova. Në atë momente panike gjithçka mu sill nëpër kokë,më shkoi në mendje edhe përdhunimi. I thashë hape derën mos mu afro, përderisa edhe po provoja të hapja derën”, tha Berisha.

Ajo bëri të ditur se asnjë masë nuk është marrë ndaj atij profesori dhe nuk është hapur rast në polici pavarësisht ankesave.

Ndërsa Adelina Tërshani kërkoi dorëheqje të rektorit dhe prorektores dhe bllokim e protesta deri në kërkim falje.

KALLXO.com kishte shkruar se në UP nuk parashihen ndëshkime për ngacmime seksuale.

http://kallxo.com/ne-nuk-parashihen-ndeshkime-per-ngacmim-seksual/