Protesta e studentëve për afate | Foto: KALLXO.com

Studentët e Mjekësisë Protestojnë për Afate

Qindra studentë ia mësynë sot Rektoratit të UP-së për ta sjellë një peticion të nënshkruar nga 2000 prej tyre ku kërkohet kthimi i afateve të provimeve të tetorit  dhe prillit.

Në mbledhjen e Senatit të Universitetit në korrik të këtij viti ishte vendosur që të praktikohet një metodë eksperimentale  e mbajtjes së provimeve me të ashtuquajturin apel (dy afate brenda afateve të rregullta).

http://kallxo.com/heq-afatin-e-tetorit/

Kjo metodë për studentët e Fakultetit të Mjekësisë është e papranueshme pasi sipas tyre koha ndërmjet këtyre afateve është shumë e shkurtër për t’u përgatitur.

Gzim Mehmeti, Kryetar i Unionit të Studentëve të Fakultetit të Mjekësisë theksoi se specifikat e këtij fakulteti nuk e lejojnë që të zhvillohen eksperimente siç është apeli i afateve.

“ Kërkojmë të ndalen eksperimentet me afate. Ne kërkojmë rregullore për Fakultetin e Mjekësisë që na garantohet me statut dhe dëshmohet me nënshkrimet e studentëve në këtë peticion,” tha Mehmeti.

Mehmeti gjithashtu theksoi se në këtë fakultet nuk bëhet vlerësimi sistematik dhe rrjedhimisht afatet e provimeve janë të domosdoshme.

studentet2

Ndërkaq për studenten Eglantina Mehmeti me vendimin e senatit u është pamundësuar studentëve që të përgatiten për provime.

“Apeli nuk është i mjaftueshëm, nuk ka kohë për përgatitje të provimeve në dy apele, sepse ka provime të mëdha që nëse dështon në afatin e parë nuk ke mundësi të përgatitesh për apel,”  vlerësoi Mehmeti.

Pas dorëzimit të peticionit në rektorat, studentët  u zotuan që do të vazhdojnë me protesta nëse kërkesat e tyre nuk realizohen nesër kur parashihet të jetë mbledhja e senatit.

studentet1