Studentët ankohen për çmime të ndryshme për foton e 'panos'

Përfundimi i studimeve trivjeçare të sistemit bachelor për shumicën e studentëve duhet të mbetet kujtim edhe në foto.

Por, studentët e Fakultetit Ekonomik dhe ata të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po ankohen se janë duke paguar më shtrenjtë se sa kolegët e tyre për të njëjtin produkt.

Ankesa për çmimin e “panos” ka ardhur në KALLXO.com nga studentët e Fakultetit Ekonomik, të cilët po detyrohen të paguajnë 6 euro për realizimin e “panos”, ndërsa në fakultete të tjera ky shërbim kryhet me 5 euro.

Vetëm Fakulteti Ekonomik ka rreth 3.500 studentë në vitin e tretë.

KALLXO.com ka gjetur se me çmimin e paguar prej 6 euro, një student i Fakultetit Ekonomik dhe Filozofik mund të pajiset me një foto të përbashkët të formatit 60X30, dy foto formati 10X15 cm me ngjyrë dhe bardh e zi, katër foto formati 4X6cm, një foto formati 200X100 cm që i takon fakultetit.

Për dallim nga studentët e këtyre dy njësive akademike, ata të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore paguajnë 5 euro për “panon” e  gjeneratës.

I vetmi dallim te “panoja”a e këtyre fakulteteve është fotoja e përbashkët që në rastin e Fakultetit Ekonomik dhe Filozofik është me madhësi 60X30, ndërsa tek fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore është e formatit A3 (297mm x 420 mm).

Dallimin në çmime në fakultete të Universitetit të Prishtinës për realizim të “panos”, por edhe të organizimit të absolventiadës e sheh edhe anëtari i Parlamentit Studentor, Argjend Softolli.

“Problemin e panove unë personalisht si deputet i Parlamentit Studentor e kam ngritur disa herë në parlament se është duke u keqpërdorur jashtëzakonisht shumë. Shembull në disa fakultete çmimet janë më të shtrenjta se në disa tjera”, tha Softolli për KALLXO.com.

Ai tha se ky diferencim në çmim duhet të hetohet dhe të mos lejohet që disa studentë të paguajnë  gjashtë  euro për shërbim e disa të tjerë pesë euro.

“Bashkëpunimi me kryetarët e Këshillave të Studentëve dhe kompanitë të cilat operojnë për fotografitë e panos, për të përfituar të dyja palët nga një pjesë të parave të studentëve është çështje që duhet të hetohet”, deklaroi Softolli.

Sipas Softollit studentëve të Fakultetit Ekonomik por edhe atyre të Fakultetit Filozofik po u bëhet e padrejtë rritja e çmimit.

Këto foto janë bërë në studion “Kabashi”.

Halit Kabashi, përfaqësues i foto-studios “Kabashi” tha se në bazë të formatit të fotografive që përzgjedhin studentët varion edhe çmimi.

“Në bazë të formatit që i zgjedhin studentët është edhe çmimi. Formati 60 me 30 dhe formati A3 i fotografisë ndryshon. Mashtrim nuk ka , gjithçka është reale. Tash kush e ka fotografinë 60 me 30 është format më i madh dhe shtypet pano më e madhe. Nëse lypin A3 është më i vogël i bie 30 me 40 formati dhe del pak më lirë, sepse është formati më i vogël. Në Fakultetin e Shkencave Matematikore del më lirë sepse ka studentë më pak”, tha Kabashi.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj për KALLXO.com shprehu keqardhje që nuk ka asnjë informatë për realizimin e “panos” për studentët e vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik.

“Asnjë informatë nuk e kam si dekan. As nuk jam përzier me ta, as nuk e di sa është çmimi as kur e kanë paraparë panon, as nuk më kanë lajmëruar, prandaj nëse ka diçka të tillë, diferencë të tillë me çmim ju kisha lut drejtojuni atyre (Këshillit të Studentëve të Fakultetit Ekonomik) dhe i shkoni deri në fund kësaj çështjeje”, tha Dedaj.

Madje, Dedaj tha se si ekonomist që është, ka mendim që sa më i madh të jetë numri i studentëve aq më lirë duhet të jetë çmimi për shërbime.

“Kur është numri më i madh i studentëve, ne jemi ekonomistë, zakonisht çmimi për njësi shkon duke rënë. Nuk është njëjtë sikurse me i ndreq pesë fotografi dhe sikurse 500. Është dashur që çmimi për njësi të bie. Nëse  dika është çmimi pesë euro, te ne është dashur të jetë më pak dhe jo më shumë”, deklaroi dekani Dedaj.

Dekani i Fakultetit Ekonomik tregoi se menaxhmenti i Fakultetit Ekonomik nuk është njoftuar as për të qenë pjesë e “panos” me studentët e tyre.

Realizimi i “panove” nëpër fakultetet e UP-së bëhet nga Këshillat e Studentëve.

KALLXO.com ka kontaktuar me Shaqir Durmishin, kryetar i Këshillit të Studentëve të Fakultetit Ekonomik, i cili vjen nga organizata “Reforma”.

Durmishi më shumë u kujdes të kritikojë mediumin tonë sesa të japë dëshmi apo fakte për çmimin më të lartë për realizim të “panos” në Fakultetin Ekonomik.

“Mas pari të kisha propozu me pasë informata sepse seriozisht po më bëni me kesh me qisi sene. Analizoji krejt fakultetet e ke foto-studion ‘Kabashi’, mënyra e marrëveshjes, dhe diskutoni për këto. Kështu unë mendoj që kjo është gjëja që unë më së paku merrem me të. Ne i kemi tri projekte të radhës, hajde dhe hulumtoni edhe ato”, tha Durmishi.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’