Protesta kundër izolimit | Foto: KALLXO.com

Studentë Me Rroba Burgu Protestojnë Kundër Izolimit

Studentët janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë për të protestuar kundër izolimit të Kosovës dhe për ratifikim të marrëveshjes së Kosovës.

Tre nga protestuesit dolën të veshur me rroba burgu me vitet 2008 dhe 2018 të shkruara në to si numra të burgosurish, që tregojnë kohën e izolimit të kosovarëve që nga shpallja e pavarësisë.

Arbër Rama, njëri nga protestuesit, tha se që nga viti 2010 gënjehemi se do të lëvizim lirshëm.

“Që nga viti 2010 vazhdohet të gënjehemi se do të lëvizim lirshëm. Janë ndrru dy legjislatura në lidhje me kauzën e demarkacionit”, tha Rama.

Ai më tutje deklaroi se “pritja e gjatë nëpër ambasada janë thjesht të papranueshme”.

Ai u bëri thirrje deputetëve shqiptarë që ta votojnë demarkacionin, duke mos lejuar bllokimin nga Lista Serbe.

“Ne u bëjmë thirrje deputetëve shqiptarë që të votohet demarkacioni mos e lejoni Listën Serbe te ju bllokojë. Është thjesht zhbllokim i procesit votimi i demarkacionit”, tha Rama.

Studentët protestues mbajtën edhe parullat “Votoni Demarkacionin”, “Stop Izolimit”, etj.

Komisioni Europian i ka caktuar Kosovës kushtin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të vitit 2015 për liberalizim vizash.

Kosovarët janë të vetmit njerëz në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen.