Ilustrimi: Flickr

Strategjia e Drejtësisë së Luftës për Kosovën e Dëmtuar nga Ndasitë

Grupi Ndërministror i Punës për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim në Kosovë (GNP) ka punuar që në vitin 2012 për zhvillimin e një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale – por pa një draft publik të publikuar ende dhe po ngrihen pikëpyetje mbi faktin pse ai nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë.

Një grup OJQ-sh do të prezantojë të martën një raport në Prishtinë duke analizuar rolin e GNP-së, i cili arrin në përfundimin se puna e tij është penguar nga mangësi që lidhen me lidershipin dhe menaxhimin, pronësinë politike, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, si edhe me mungesën e angazhimit të publikut të gjerë.

“Ky nuk ishte një operacion i qetë. Në fakt, ishte një operacion shumë përçarës,” tha në një intervistë për BIRN një nga autorët e raportit, Thomas Unger, këshilltar në OJQ-në me bazë në Holandë Impunity Watch dhe ligjërues në Akademinë e Gjenevës për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtat e Njeriut.

“Pas pesë vjetësh, ne tani kemi më shumë ndarje sesa besim midis aktorëve të ndryshëm që kishin si detyrë të shqyrtonin çështjet e ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë,” tha Unger.

Mbështetja e donatorëve për GNP-në përfundoi gjithashtu këtë vit – dhe në të njëjtën kohë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ishte pas themelimit të GNP-së në vitin 2012, propozoi një Komision të ri të Vërtete dhe Pajtimi.

Sipas vëzhguesve, ky Komision i ri duket se do të sfidojë parësinë e GNP-së në përcaktimin e agjendës për ballafaqimin me të kaluarën e kohës së luftës të Kosovës.

Një mungesë besimi

Unger tha se raporti i ri, i cili u bazua në 25 takime shqyrtuese dhe intervista me 32 persona të angazhuar në proces, nga parlamenti i Kosovës, institucione publike, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar, tregoi se GNP “nuk kontribuoi në ndërtimin e besimit midis qeverisë dhe komuniteteve të ndryshme, sidomos komunitetit serb në Kosovë “.

“Ndërtimi i besimit është i nevojshëm nëse doni të shikoni çështjet e ballafaqimit me të kaluarën  të cilat janë shumë të diskutueshme, çështje shumë përçarëse,” vuri në dukje ai.

Sipas raportit, GNP u udhëhoq në një mënyrë shumë autoritare dhe nuk përfshiu si duhet shoqërinë civile dhe grupet e pakicave, të cilët u ankuan se ata nuk kishin një platformë për të folur në lidhje me çështjet e ballafaqimit me të kaluarën.

GNP gjithashtu nuk prodhoi ndonjë raport të rëndësishëm, pati vonesa në miratimin e rregullores së procedurës dhe planit të veprimit, dhe një draft i Strategjisë Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale nuk është publikuar ende.

Unger tha se vendimi fillestar për të ngritur GNP ishte i mirë, por procesi nuk arriti të jepte rezultate reale.

“Unë do të thosha se duke qenë se procesi u bë nga qeveria, pra, përgjegjësia përfundimtare i mbetet qeverisë dhe kjo e fundit duhet të ketë një interes në proces, por nga ana e qeverisë ka mungesë vullneti politik për t’u ballafaquar me të kaluarën,” tha ai.

Ai beson se një nga mangësitë më të mëdha ishte mungesa e pjesëmarrjes nga serbët, grupi më i madh etnik në Kosovë pas shqiptarëve.

“Në fillim pati një pjesëmarrje, por për shkak të ambientit armiqësor brenda grupit, këta anëtarë u larguan. GNP nuk arriti të krijonte një mjedis që këto grupe të mund të rrinin,” tha Unger.

“Çështja e dytë është se niveli i njohurisë së këtij GNP-je ishte shumë i ulët në Kosovë, vetëm organizatat që merren me këtë çështje ose që kanë lidhje me Prishtinën do të dinin për të,” theksoi ai.

Raporti numëron mangësitë brenda punës së GNP-së siç është një mungesë njohurie dhe pronësie midis disa përfaqësuesve të qeverisë dhe shoqërisë civile të GNP,-së të cilat kontribuuan në një vendimmarrje të dobët, një mungesë përvoje midis grupeve të shoqërisë civile të përfshira në lidhje me mënyrën e punës së institucioneve dhe procesin e hartimit të strategjive – si edhe si një mungesë uniteti dhe bashkëpunimi mes anëtarëve, me tensione të brendshme dhe mosmarrëveshje që dëmtuan punën e GNP-së.

Asnjë presion ndërkombëtar

Edhe pse qeveria e Kosovës e dëgjon Bashkimin Europian dhe komunitetin ndërkombëtar, ata s’i kanë dhënë përparëse çështjeve të drejtësisë tranzicionale në diskutimet e tyre me Prishtinën, beson Unger.

“Problemi është se BE-ja, por edhe anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar si Shtetet e Bashkuara, nuk e kanë nxitur qeverinë e Kosovës të punojë me ballafaqimin me të kaluarën. S’ka asnjë qasje strategjike. Nuk është një çështje me përparësi për ata,” tha ai.

Megjithatë, progresi në strategjinë e drejtësisë tranzicionale kërkohet si pjesë e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Sfida kryesore është se nga ana e BE-së nuk ka ndonjë njohuri të thellë mbi kuptimin e drejtësisë tranzicionale në përgjithësi dhe se çfarë do të thotë ajo përsa i takon qeverive. Kjo duhet të përmirësohet,” u shpreh Unger.

“Nga ana tjetër, në nivelin më të lartë brenda BE-së, pavarësisht politikës së vitit 2015 për drejtësinë tranzicionale që ka BE-ja, drejtësia tranzicionale nuk është një përparësi. Përparësi është procesi i negociatave Prishtinë-Beograd, stabilizimi i konfliktit të ngrirë. Paqja e kuptuar si një marrëveshje midis këtyre dy komuniteteve ka përparësi mbi masat e vërteta në ballafaqimin me të kaluarën. Megjithatë, drejtësia tranzicionale është e rëndësishme për të ruajtur paqen në afat të gjatë,” tha ai.

Brukseli shikon paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik si një përparësi në Kosovë, sesa të merret me krimet e të kaluarës, shtoi ai.

Nevojitet një angazhim i ri

Unger tha se pas pesë vjetësh, GNP ka treguar se nuk ka gjasa të mund të zhvillojë një Strategji Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale, vetëm në rast se merr “angazhim të fortë politik nga niveli më i lartë”.

“Nëse ka angazhim të vërtetë, do të jetë përsëri pjesëmarrje e shoqërisë civile,” shtoi ai.

Një nga rekomandimet kryesore në raportin e ri është se GNP-ja duhet të jetë më e lidhur me procese të tjera në vazhdim të drejtësisë tranzicionale, siç janë gjyqet e krimeve të luftës, programet e shpërblimit dhe Gjykata e re Speciale e Kosovës me bazë në Hagë, e cila pritet të gjykojë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“GNP-ja veproi krejtësisht i shkëputur nga këto procese të tjera të drejtësisë tranzicionale, kështu që grupi i punës nuk ishte vërtet një platformë ku diskutoheshin këto procese,” shpjegoi Unger.

Një tjetër rekomandim është që procesi të bëhet më përfshirës, kështu viktimat, shoqatat e viktimave dhe publiku një përgjithësi të jenë të përfshirë në konsultimet mbi ç‘lloj mekanizmash të drejtësisë tranzicionale duhet të përdoren në Kosovë.

“Kur kryem intervistat në janar, asnjë nga personat që intervistuam s’e dinte që po vinte komisioni kombëtar,” shpjegoi Unger.

“Dhe kjo tregon se si bëhet drejtësia tranzicionale në Kosovë. Është një qasje shumë e ulët ku lidershipi politik vendos në bazë të disa arsyeve të përcaktojë mekanizma të drejtësisë tranzicionale, shumicën e kohës me sytë nga komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli,” shtoi ai.

Sipas Ungerit, edhe shoqëria civile duhet të punojë për një pozicion të konsoliduar.

“Ajo duhet të mblidhet dhe të punojë për një zë, ide dhe strategji të përbashkët për drejtimin që duhet të marrë procesi. Ajo duhet të jetë një aktor provokues në këtë proces. Shoqëria civile duhet të jetë shoqëria cilive në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm ajo me bazë në Prishtinë,” tha ai.

Unger tha se intervistat e realizuara për raportin i dhanë atij përshtypjen se njerëzit ndjenin se “lufta çlirimtare për pavarësi nga shtypja serbe legjitimon çdo gjë, deri më sot” – përfshirë edhe krimet e kryera gjatë konfliktit.

“Mendoj se shqiptarët kaluan një traumë kolektive gjatë shtypjes, por edhe gjatë luftës. Çështja për mua është si të dalim nga kjo traumë dhe nëse flet me njerëz, shoferë taksish, kamerierë ose njerëz të tjerë në rrugë në Kosovë, çdo gjë del në pyetjen nëse Serbia apo Beogradi qëndrojnë pas çdo gjëje. Këtu ka një rol kyç nga politikanë të të dyja palëve, por deri më tani ata po dështojnë,” tha ai.

Prandaj Unger beson se marrëdhënia midis Kosovës dhe Serbisë – dhe negociatat e vazhdueshme që synojnë normalizimin e asaj marrëdhënieje – janë të lidhura ngushtë me të kaluarën në Kosovë.

Për të shpëtuar procesin e GNP, shprehet raporti, qeveria e Kosovës duhet të komunikojë mbështetjen e saj në nivelin më të lartë politik.

Deri më tani, fokusi në Kosovë, si për qeverinë ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar, ka qenë drejtësia penale, por Ungeri beson se duhen trajtuar edhe çështje të tjera, siç është shpërblimi për viktimat e të gjitha palëve dhe se duhet të ketë gjithashtu më shumë angazhim për të gjetur ata që rezultojnë ende të zhdukur që nga koha e luftës.

“Problemi i drejtësisë penale është se çdo komunitet do që ajo t’i ndodhë “tjetrit”. Nuk duhet t’i ndodhë komunitetit tënd. Kështu që drejtësia penale shihet si një mënyrë për të ndëshkuar tjetrin për veprat që ata kryen,” shpjegoi Unger.

“Një qasje më e gjerë e ballafaqimit me të kaluarën duhet të përcjellë mesazhin se është në përgjithësi keq të kryesh krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pavarësisht çdo arsyeje apo motivi “të mirë”, përfundoi ai.