Jens Stoltenberg - Foto: Rtv21

Stoltenberg: Infrastruktura në Europë t’u Përshtatet Nevojave Ushtarake të NATO-s

NATO ka nevojë që rrugët, urat dhe infrastruktura tjetër civile në Europë t’u përshtatet nevojave të rritura ushtarake, gjë që do të kërkojë bashkëpunim mes qeverive kombëtare dhe sektorit privat, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, në prag të fillimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s, i cili filloi sot në Bruksel.

Ministrat do të fillojnë debatin për revidimin e strukturës komanduese të Aleancës dhe parashihet krijimi i një komande të re, përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve detar ndërmjet Amerikës Veriore dhe Europës, si dhe një komandë të dytë, e cila do të përmirësojë lëvizjen e forcave dhe të pajisjeve në Europë.

Stoltenberg beson se revidimi i strukturës komanduese është i domosdoshëm, për të parandaluar kërcënimet e mundshme nga ana e Rusisë.

Ai qartësoi se nuk bëhet fjalë vetëm për krijimin e komandave, por edhe për forcimin dhe përmirësimin e rrugëve dhe të urave, me qëllim që ato të jenë në gjendje që të mbajnë edhe pajisjet më të rënda ushtarake të Aleancës dhe qartësoi se NATO ka nevojë për infrastrukturën civile dhe se ajo për këtë arsye duhet t’u përshtatet nevojave ushtarake.

NATO aktualisht ka shtatë komanda, me 7 mijë pjesëtarë të përhershëm të personelit.

Stoltenberg tha se dy komandat e reja janë të domosdoshme, për shkak të klimës aktuale të sigurisë.

Rusia ende nuk është shprehur në lidhje me ndryshimet e propozuara në Aleancë.

Moska ka deklaruar më herët se është e brengosur për shkak të shtimit të pranisë së forcave të Aleancës në kufijtë e saj, ndërsa muajin e kaluar ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu, deklaroi se Rusia duhet të merr masa për t’u përballur me kërcënimet e reja në perëndim të vendit./21Media