Blerand Stavileci. Foto: Facebook

Stavileci Paralajmëron Rreziqet e Keq-implementimit të TC 'Kosova e Re'

Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjeve për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ish-ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, është shprehur se duhet që të gjithë t’i orientojnë kapacitetet institucionale e profesionale në implementim, sepse pasojat e mosimplementimit ose të keqimplementimit të kësaj marrëveshje janë shumë të mëdha.

Stavileci shpjegoi më tej se oferta që kishte ardhur në javën e tij të parë të punës në vitin 2014 kishte efekte të papranueshme ndër to edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Këto efekte ishin të papranueshme për të gjithë neve, prandaj kërkohej ose të ketë një qasje të re dhe kreative të negocimit ose ndërprerje të projektit me konditat aktuale që kishte. Komiteti Drejtues i Projektit autorizoi negociata të drejtpërdrejta me investitorin dhe, si rezultat i këtyre negociatave dhe studimeve të bëra për të trasuar rrugën që do të ndiqej në këtë proces aq kompleks, sot kemi efekte krejtësisht tjera, pra, larg shumë më pozitive se ç’kishim, zvogëlim të kapacitetit me qëllim të uljes së efektit në tarifa nga rreth 90% në rreth 30%, por i cili përmbush qëllimin kryesor të këtij projekti – sigurinë e furnizimit, rritje e nivelit të efiçiencës nga 37% në minimum 40% dhe rrjedhimisht zvogëlim i kostos ambientale, transferim i termocentralit në pronësi të shtetit pas 20 viteve operim me çmim zero, akordim me mundësi ndryshimi varësisht nga rezultatet e negocimit të marrëveshjeve komerciale që Norma e Brendshme e Kthimit të jetë 21,5% me tendencë rënëse akoma nga intervali i ofertuar fillimisht prej investitorit, i cili ishte 23-27%”, ka theksuar Stavileci në profilin e tij në Facebook.

Ish-ministri ka nënvizuar se gjatë tërë kësaj periudhe ka pasur një proces të mundimshëm konsultativ me Bankën Botërore që parametrat e projektit të jenë në linjë me standardet e këtij institucioni si partneri kryesor strategjik për implementim, nga i cili  për herë të parë është siguruar mbështetje e fuqishme deklarative edhe për projektin edhe për Strategjinë e Përgjithshme të Energjisë 2017-2026.

“Në Maj të vitit 2017, pas 14 takimesh të njëpasnjëshme, marrëveshjet ishin negociuar dhe kishin mbetur vetëm disa elemente teknike, si dhe rishikimi final i Normës së Brendshme të Kthimit bazuar në dakordimet finale të reflektuara në Marrëveshjet Komerciale, e cila do të pësonte rënie të mëtejshme si rezultat i balancimit më të mirë të risqeve të projektit. Rrjedhimisht ishim në pritje të takimit final i cili duhet të mbahej diku nga gjysma e muajit maj 2017. Më pastaj, fatkeqësisht, vazhdimin e kësaj historie e dimë të gjithë, ra qeveria, u shpërbë parlamenti dhe hymë në zgjedhje të parakohshme pas as 2 vjet e gjysmë të plota të mandatit qeverisës, ku gjithçka u ngri deri në formimin e qeverisë së re dhe takimi final, i cili do të ishte i 15-ti me radhë, u shty në afat të pacaktuar”, ka thënë Stavileci.

Blerand Stavileci ka shpjeguar se për të arritur në stadin ku jemi sot janë dashur 14 sesione negociuese direkte, me qindra orë takime e udhëtime të mundimshme, dhjetëra studime e opinione për të parë arsyeshmërinë e çdo vendimi dhe finalizimi i mijëra faqeve të marrëveshjeve komerciale të shpërndara në 8 sosh.