Stavileci: 2017-ta Vit i ‘Kosovës së Re’

Këshilli i Investitorëve Europianë së bashku me Qeverinë dhe Zyrën e BE-së diskutuan sot për investimet në Kosovë.

Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa, tha se gjysma e buxhetit të vitit të kaluar ka shkuar në investime kapitale.

“Kemi arritur kryesisht të orientojmë buxhetin në investime kapitale, kemi arritur gati 50 për qind investime kapitale, prej një buxheti rreth 2 miliardë euro. Kemi arritur të sigurojmë stabilitet fiskal dhe makroekonomik”, tha Mustafa.

Mustafa përmendi edhe fitimin e çmimit si qeveria më e mirë për mbështetje të ndërmarrësisë.

“Para pak kohësh në Forumin Botëror të Investitorëve, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka fituar çmimin ‘Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë’”, tha Mustafa.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se 2017-ta do të jetë vit i termocentralit “Kosova e Re”

“Ky vit, pra viti 2017 do të jetë viti i “Kosovës së Re”, termocentralit të shumëpërfolur ‘Kosova e Re’ për të cilin ne pothuajse që 1 vit kemi zhvilluar negociate me investitorin amerikan. Në anën tjetër paralelisht kemi zhvilluar edhe shumë platforma dialoguese me partnerët strategjikë të këtij projekti, mbi të gjitha me Bankën Botërore dhe atë Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim”, tha ministri Stavileci.

Ai bëri të ditur se nga java e ardhshme do të hyhet në fazën finale, ku i hapet rrugë nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale.

KALLXO.com ka shkruar për shkeljet që përcollën procedurat rreth termocentralit “Kosova e Re”.

http://kallxo.com/dosja-shkelje-e-tc-kosova-e-re-dergohet-ne-prokurori/

http://kallxo.com/banka-boterore-ende-pa-vendim-per-tc-kosova-e-re/

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti foli për pakon e re fiskale, të cilën e cilësoi një prej reformave më të thella të 10 vjetëve të fundit.

Pakoja për të cilën foli Hoti tashmë u është paraqitur Këshillit të Investitorëve Europianë dhe biznesmenëve të vendit.

http://kallxo.com/hoti-shpjegon-qellimet-e-pakos-fiskale-2-0/

http://kallxo.com/pakoja-e-dyte-fiskale-para-odes-dhe-bizneseve/