Stanishiq e Simatoviq Rigjykohen Vitin e Ardhshëm

Dëshmitarët e parë në rigjykimin e Stanisiqit dhe Simatoviqit do të dalin në bankën e dëshmitarëve në gjysmën e parë të vitit 2017, u njoftua në një konferencë në lidhje me këtë çështje në gjykatën e OKB-së në Hagë të hënën.

Stanisiq dhe Simatoviq të dy e deklaruan veten të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar, pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, hodhi poshtë vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e OKB-së vendosi më 15 dhjetor se ka pasur gabime të rënda ligjore dhe faktike kur Stanisiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohet dhe që të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjohen në mënyrë të plotë nga gjyqtarë të rinj.

Megjithatë, gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët mbrojtës në Mekanizmit të Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale Ndërkombëtare Penale, MICT, e cila do të marrë përsipër rastet e mbetura të ICTY-së, ndërkohë që kjo përgatitet të mbyllet në vitin 2017, nuk mundi të binte dakord në konferencën e ditës së hënës për datën aktuale të gjyqit të ri.

Trupi gjykues sugjeroi që dëshmitarët e parë duhet të dëgjohen në shkurt, ndërsa mbrojtja argumentoi se ajo kishte nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur në mënyrë që gjykimi të fillojë në prill ose maj.

Prokuroria kërkoi gjithashtu më shumë kohë për t’u përgatitur sesa ishte planifikuar në fillim. Gjykata nuk e ka vendosur ende datën përfundimtare.

Stanisiq, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviq, një ish-zyrtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, akuzohen se kanë qenë pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, e cila kishte si qëllim të dëbonte me forcë dhe përgjithmonë joserbët nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nga viti 1991 deri në vitin 1995.

Sipas aktakuzës, ata ishin njerëzit kryesorë të njësive sekrete të armatosura që nuk ishin të autorizuara ligjërisht nga autoritetet serbe për të ndërmarrë veprime speciale ushtarake.

Gjatë ekzistencës së tyre nga viti 1991 deri në vitin 2003, këto njësi kishin emra të ndryshme – Knindzet (‘Ninxhat nga qyteti i Kninit), Skorpionët, Tigrat e Arkanit, Beretat e Kuqe dhe Njësia e Operacioneve Speciale – dhe ishin të njohur për metodat e tyre brutale të luftimit.

Gjyqtarët e Gjykatës së Hagës vendosën në vitin 2013 se njësitë kryen krimet që ishin listuar në aktakuzë, por thanë se Stanisiq dhe Simatoviq nuk mund të mbaheshin penalisht përgjegjës për to.

“Në rastet kur dy të akuzuarit ndihmuan njësitë speciale, kjo ndihmë nuk ishte e drejtuar në mënyrë specifike në kryerjen e krimeve,” tha vendimi.

Vendimi i vitit 2013 thoshte gjithashtu se prokurori nuk arriti të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se Stanisiq ose Simatoviq planifikuan ose urdhëruan krimet e njësive.

Megjithatë Gjykata e Apelit vendosi se vendimi fillestar ishte i pasaktë duke këmbëngulur se burrat mund të ishin fajtorë vetëm nëse “kishin urdhëruar në mënyrë direkte” krimet.

Kjo është hera e parë që gjykata e OKB-së urdhëroi një gjyq të ri pas apelimit të vendimit. Pritet që çështja të zgjasë të paktën edhe katër vjet të tjerë.

Ish-zyrtarët e sigurimit u transferuan në Hagë në vitin 2003, por gjyqi u shty disa herë kryesisht për gjendjen e dobët shëndetësore të të pandehurve.

Ata janë në Beograd derisa të fillojë gjyqi i ri.