Spitali në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Spitali i Mitrovicës 1200 Intervenime me 5 Kirurgë

Vetëm pesë kirurgë dhe dy anesteziologë punojnë në Repartin e Kirurgjisë të Spitalit “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ndërsa vetëm këtë vit ata janë përballur me një numër të madh pacientësh-1197 gjithsej.

Drejtori i spitalit Hamza Berisha, pavarësisht mungesës së stafit thotë se në këtë spital është bërë punë e madhe.

“Spitali jonë ka mungesë të stafit mjekësor, por përkundër këtyre mungesave është bërë punë e madhe falë angazhimit dhe përkushtimit të stafit aktual”, tha Berisha për KALLXO.com.

Berisha thotë se shtimi i punonjësve shëndetësorë në këtë spital është shumë i nevojshëm.

“Spitali ka nevojë për mjekë shtesë, sidomos për anesteziologë, kirurgë, neonatologë, pediatër, radiologë, Urologë , por edhe personel për ortopedi dhe infektive”, tha Berisha.

Berisha tregoi se Ministria e Shëndetësisë ka shpallur një konkurs për plotësimin e  këtyre mungesave, por që  do të plotësohen vetëm disa nga pozicionet e nevojshme.

“Shpresoj se me konkursin fundit nga ministria të plotësohen sadopak këto vende”, tha Berisha.

Konkursi i Ministrisë së Shëndetësisë i hapur më 21 mars synon plotësimin e mungesave në spitalet e Kosovës me 175 pozita të reja të mjekëve të profileve të ndryshme.

Në konkurs thuhet se 11 prej këtyre pozitave janë paraparë për spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Duke analizuar zhvillimet shëndetësore të vitin 2016, më 1 janar të këtij viti Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për të gjitha ato që vitin e kaluar e karakterizuan shëndetësinë në vend.

Viti i Sëmurë