Specializantët e Mjekësisë Kërkojnë Ndihmë nga Veseli

Specializantët që po përfundojnë shkollimin në lëmenjtë e tyre përkatës i janë drejtuar për herë të dytë për ndihmë kryeparlamentarit Veseli.

Ata po ankohen se po punojnë shumë e po paguhen pak.

“Këta nuk duhet të jenë viktimë e sistemit të dështuar shëndetësor, këta nuk duhet të jenë fajtorë asnjëherë për shkak të dështimeve në menaxhimin shëndetësor, këta duhet të kenë përkrahje,” tha Veseli pas takimit me specializantët.

Sipas Veselit  në momentin që janë pranuar si specializantë nuk munden të punojnë edhe nga 36 orë pa ndërprerje.

Specializantët thonë se që nga viti 2014 vazhdojnë edukimin specialistik dhe nuk marrin asnjë cent nga Ministria e Shëndetësisë.

“Jemi inkuadruar në klinikat e QKUK-së dhe ndjekim edukimin specialistik, mirëpo nuk paguhemi fare. Kjo na detyron duke pasë parasysh se të gjithë jemi familjarë që të punojmë në komunat tona përkatëse dhe duke e bashkëngjitur edhe orarin në QKUK mbajmë gjithsej 36 orë punë pa ndërprerje disa herë në javë,” tha Leonard Muja specializant i pulmologjisë.

Ndërsa kolegu i tij Berat Krasniqi, specializant në lëmin e gjinekologjisë, tha se 200 specializantë kanë filluar procesin e specializimit në vitin 2014 në QKUK.

“Ne kemi vazhduar kërkesat tona, por për shkak të mosgjetjes së zgjidhjes kemi bërë kërkesë te kryetari, ia kemi shpjeguar problemin tonë, përndryshe Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk na ka dhënë përkrahje për problemin tonë,” tha ai.

Kryetari Veseli i pyetur se cilat janë kompetencat e tij për këtë çështje tha se dera e Kuvendit është e hapur për të gjithë dhe se duhet të bëhet një sensibilizim dhe të mendohet paraprakisht për nevojat dhe kërkesat në këtë fushë.

Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë tha se ministria u paguan dy kujdestari gjatë muajit këtyre specializantëve.

“Ministria i paguan për dy kujdestari gjatë muajit që ata i ofrojnë gjatë ditëve të javës dhe jo gjatë vikendit, nëse institucionet i angazhojnë për më shumë se dy kujdestari, atëherë institucionet duhet të vlerësojnë vetë a kanë mundësi me i pagu a jo,“ tha Hoti.

Leonard Muja thotë se ka pesë muaj që as kjo kujdestari nuk është paguar .

“Ministria e Shëndetësisë ka vendosur qe te paguajë dy kujdestari ditëve të zakonshme pa përfshirë këtu të premten dhe ditët e vikendit, mirëpo ka pesë muaj që specializantet nuk kanë marrë asnjë cent as për kujdestari,” tha ai.

Zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu tha se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk ka mundësi buxhetore të paguajë më shumë.

“Ne i kemi njoftuar të gjitha njësitë që të mos i ngarkojnë më shumë se 2 kujdestari në muaj si e kanë kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë,”tha Fazliu.

Sipas Fazliut është kërkuar nga të gjitha njësitë klinike që kur ka nevojë për më shumë se dy kujdestari të kërkohet aprovimi i drejtorit të përgjithshëm.

Në këtë takim u tha se për arsye të këtyre kushteve, shumë nga mjekët kanë ikur në vende të tjera për një jetë më të mirë.