Fuad Ramiqi

Sot Vazhdon Gjykimi i Fuad Ramiqit dhe Katër Imamëve

Lideri i Lëvizjes “LISBA”, Fuad Ramiqi dhe katër imamët: Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami sot do të paraqiten në Gjykatë, ku po gjykohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë.

Në seancën e kaluar dëshminë e tyre rreth këtij rasti e kishin dhënë dëshmitarët Bahri Kovaqi dhe Veton Krusha.

Bahri Kovaqi, i cili është babai i të riut Qëndrim Kovaqi – njërit prej qytetarëve të Kosovës që po lufton në Siri deklaroi se ai disa herë e ka lutur djalin e tij të kthehej nga Siria, por ka marrë përgjigje prej tij se po të kthehej do të burgosej menjëherë.

Madje Qëndrim Kovaçi, sipas babait të tij, ka kërkuar që edhe pjesa tjetër e familjes t’i bashkohen në Siri.

Kurse dëshmitari tjetër Veton Krusha, i cili është vëllai i Hamdi Krushës, 21 vjeçarit të vrarë në Siri, tha se për vdekjen e vëllait kishte marrë vesh nga lajmet në internet dhe nga Qëndrim Kovaçi, shoku i ngushtë i të ndjerit.

http://kallxo.com/deshmitari-djali-na-la-letra-kur-shkoi-ne-siri/

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në  “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Ernest Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Në maj të këtij viti 5 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

http://kallxo.com/fuad-ramiqi-dhe-4-imame-deklarohen-te-pafajshem/

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e tjera të këtij rasti.