Ish rektori Enver Hasani, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Sot Gjykata Vendos për Enver Hasanin

Gjykata në Prishtinë sot do ta shpallë vendimin e saj për Enver Hasanin, Albert Rakipin e Hakif Veliun në lidhje me përkthimin e librave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit këtë vepër e kanë kryer lidhur me realizimin e kontratës për  përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Kontrata e lidhur në mes të UP-së dhe ISN-në mbante datën 5 dhjetor 2012 ndërsa vlera e përgjithshme e saj ishte 500 mijë euro dhe çmimi i pagesës ishte përcaktuar 12,65 euro për 1000 fjalë.

Prokuroria pretendon se 3 ditë pasi që ishte nënshkruar kontrata, drejtori i ISN-së, Jorgji Qirjako i ka dërguar të akuzuarit Enver Hasani një kërkesë për ndryshimin e kontratës nga njësia matëse “fjala” në njësinë matëse “karaktere”, ndërsa pastaj i akuzuari Hakif Veliu sipas marrëveshjes me Enver Hasanin, ka përpiluar një kontratë të re me të cilën kanë ndryshuar nenin 17 të kontratës origjinale të datës 5 dhjetor 2008.

Aktakuza e prokurores Drita Hajdari pretendon se pikërisht neni 17 ishte ndryshuar në atë formë që në vend të çmimit 12.65 euro për 1000 fjalë, ishte shënuar çmimi 12.65 euro për 1000 karaktere duke i mundësuar kështu ISN-së, përfitim më të madh për sasinë e njëjtë të shërbimit dhe për të sjellë në lajthitje personat e autorizuar të UP-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, prokuroria pretendon se i akuzuari Hakif Veliu, në kontratën e falsifikuar ka mbajtur numrin dhe datën e kontratës origjinale dhe atë kontratë i akuzuari Enver Hasani më datë 13 dhjetor 2008 e ka dërguar në Tiranë për ta nënshkruar i akuzuari Rakipi.

Sipas kontratës së ndryshuar, prokuroria pretendon se më 13 korrik 2009 është dërguar në UP fatura për përkthimin e 8 librave me çmim prej 78.999,25 euro e llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, e që sipas kontratës origjinale do të kishte kushtuar 14.991, 91 euro.

Aktakuza përshkruan se i akuzuari Rakipi në fatura e ka shënuar shenjën 1000/F, gjë që tek anëtarët e Komisionit të UP-së për pranimin e materialit të përkthyer, ka krijuar lajthitje se llogaritja e përkthimit është bërë me njësinë matëse “fjala” dhe kështu ky komision ka rekomanduar ekzekutimin e pagesës.

Prokurorja Drita Hajdari, pretendon se si rezultat i ndryshimit të kontratës origjinale, ISN siguroi një përfitim të kundërligjshëm financiar  në shumë prej 70 mijë eurove.

Hajdari kur e paraqiti fjalën përfundimtare para pesë ditësh e konsideroi rastin e Hasanit, rast të “jakave të bardha”, ndërsa deklaroi se kihte tendencë që të sakrifikohej zyrtari më i ulët Hakif Veliu për zyrtarin më të lartë Enver Hasani.

Hasani, Rakipi e Veliu janë deklaruar të pafajshëm në dhjetor 2015 për akuzat me të cilat ngarkohen.